strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Neni 207 - Pjesëtimi i sendit të përbashkët

Pjesëtimi i sendit të përbashkët kryhet me marrëveshjen e të gjithë bashkëpronarëve. Kur sendi është i paluajtshëm marrëveshja duhet të bëhet me akt noterial. Kur kjo marrëveshje nuk është arritur, pjesëtimi i sendit kryhet me anë të gjykatës, duke u thirrur në gjyq të gjithë bashkëpronarët. Pjesëtimi i sendit të përbashkët bëhet me ndarjen e tij në natyrë sipas pjesëve që kanë bashkëpronarët, në qoftë se kjo ndarje është e mundshme dhe nuk dëmton qëllimin përkatës të sendit.
Pabarazia e pjesëve, që rezulton nga ndarja në natyrë kompensohet me një shpërblim në para.
Kur sendi i përbashkët nuk mund të ndahet në natyrë gjykata urdhëron që ai të shitet në ankand dhe vlefta e tij të ndahet ndërmjet bashkëpronarëve, sipas pjesëve përkatëse, duke llogaritur edhe shumat që ata duhet t’i paguajnë njëri-tjetrit për shkak të marrëdhënies së bashkëpronësisë.
Megjithatë, në vend të shitjes në ankand, gjykata, kur disa nga bashkëpronarët e kërkojnë, mund të urdhërojë që sendi t’u lihet këtyre, duke i detyruar që t’i paguajnë bashkëpronarit, i cili kërkon pjesëtimin, vleftën e pjesës së tij, sipas mënyrës dhe brenda afateve të caktuara në vendimin gjyqësor.
Kur sendi që nuk mund të ndahet në natyrë, është shtëpi banimi, gjykata ia lë në pjesë, në kushtet e sipërtreguara, atij nga bashkëpronarët që banon në atë shtëpi ose ka nevojë më shumë se të tjerët për atë sipërfaqe banimi.