Shtesa të reja mbi katin e fundit

  • Neni 218
  • Ndërtimi mbi katin e fundit të një ndërtese, të kateve ose veprave të tjera, mund të realizohet me vendimin e shumicës prej 3/4 të bashkëpronarëve të ndërtesës.

  • Neni 219
  • Ndalohet dhënia e lejes për kryerjen e shtesave ose veprave të tilla mbi katin e fundit në qoftë se kushtet statike të ndërtesës nuk e lejojnë.
    Bashkëpronarët mund të kundërshtojnë lejen e dhënë nga organi kompetent shtetëror për kryerjen e shtesave ose veprave të tilla mbi katin e fundit dhe kur provohet se ato pakësojnë ajrin apo dritën për katet e mëposhtme ose cenojnë pamjen arkitektonike të ndërtesës.

  • Neni 220
  • Ata që janë lejuar të bëjnë shtesa ose vepra të tjera në katin e fundit detyrohen të rindërtojnë taracën, të cilën të gjithë ose një pjesë e bashkëpronarëve kishin të drejtë ta përdornin.

  • Neni 221 - Shëmbja tërësore ose pjesore e ndërtesës
  • Kur ndërtesa shëmbet tërësisht ose në një pjesë që përbën jo më pak se tre të katërtat e vlerës së saj, secili bashkëpronar mund të kërkojë që të shiten në ankand trualli dhe materialet, përveç kur është vendosur ndryshe.
    Kur ndërtesa është dëmtuar në një përmasë më të vogël, asambleja vendos për rindërtimin e objekteve të përbashkëta të ndërtesës dhe secili bashkëpronar i tyre detyrohet të kontribuojë në përpjesëtim me të drejtat e tij në ato objekte.
    Bashëpronari që nuk dëshiron të marrë pjesë në rindërtimin e ndërtesës, duhet t’u shesë bashkëpronarëve të tjerë ose ndonjërit prej tyre edhe objektet, të cilët janë pronë vetëm e tij, sipas vlerësimit që do të bëhet.