Rrjedhja e ujërave

  • Neni 266
  • Pronari është i detyruar të pranojë në tokën e tij ujërat e shiut, të borës ose të burimeve të pashfrytëzuara, që rrjedhin natyrshëm nga një tokë me nivel më të lartë. Pronari nuk mund të ndryshojë këtë rrjedhë natyrore në dëm të një tjetri.
    Uji që rrjedh mbi një tokë të mëposhtme mund të mbahet nga pronari i tokës së mësipërme, vetëm në masën që është e domosdoshme për atë tokë.

  • Neni 267
  • Në rastet kur anëbrigjet dhe shpatet e një prone që shërbenin për të ndaluar ujërat, janë shkatërruar ose dëmtuar, si dhe kur del e nevojshme që nga shkaku i ujërave të ndërtohen mbrojtësa dhe pronari i asaj prone nuk pranon t’i ndërtojë ose t’i riparojë, pronarët e dëmtuar ose që rrezikohen të dëmtohen, mundet që me shpenzimet e tyre t’i ndërtojnë ose t’i riparojnë ato.
    Këto ndërtime e riparime duhet të kryhen pa iu shkaktuar pronarit të pronës shërbyese ndonjë dëm, duke respektuar rregullat e posaçme, kur ka të tilla. Kur pronari i pronës shërbyese ka kundërshtime, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata.

  • Neni 268
  • Dispozitat e nenit të mësipërm zbatohen edhe kur del e nevojshme të hiqet një pengesë lëndësh të formuara në një pronë tjetër ose në një hendek, rrjedhë uji ose vijë kulluese, të cilat dëmtojnë pronat fqinje.

  • Neni 269
  • Pronari që ka një burim uji në pronën e vet është i lirë në përdorimin e tij, por pa cenuar të drejtat që mund të ketë fituar pronari i pronës më të ulët në bazë të një titulli ose me parashkrim.

  • Neni 270
  • Në rast se një rrjedhë uji u ndalon pronarëve të pronave ngjitur, hyrjen në këto ose vazhdimin e vaditjes apo të kullimit të ujërave, ata që përdorin këtë rrjedhë, detyrohen që në proporcion me përfitimin që nxirret prej tij (ujit) të ndërtojnë e të mirëmbajnë urat e mjetet e tjera të kalimit, në mënyrë të volitshme e të sigurt, si dhe gypat e nëndheshëm ose vepra të tjera të kësaj natyre për vazhdimin e ujitjes e të kullimit.

  • Neni 271
  • Pronari i një toke detyrohet të pranojë pa shpërblim ujërat që vijnë nga drenazhimi i një toke të mësipërme, kur ato rrjedhin natyrshëm në tokën e tij.
    Kur nga kjo rrjedhë i shkaktohet dëm, ai ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit dhe marrjen e masave për mënjanimin në të ardhmen.