Servitutet që rrjedhin nga marrja e ujit

  • Neni 273
  • Kalimi i ujërave nëpër pronën e tjetrit duhet të kryhet në mënyrën më të volitshme e më të përshtatshme me më pak dëme, por pa penguar ushtrimin normal të servitutit.

  • Neni 274
  • Kur kalimi i ujërave kërkohet për një kohë jo më të gjatë se nëntë vjet, pagimi i vleftës dhe i shpërblimit të dëmeve të përmendura në dispozitën e mësipërme bëhet në gjysmën e kësaj vlefte, me detyrimin që me mbarimin e afatit të rivihet gjithçka në gjendjen e mëparshme.
    Ky servitut mund të bëhet i përhershëm kur kjo kërkohet para mbarimit të afatit, nëpërmjet pagimit të gjysmës tjetër, të vleftës së bashku me kamatat ligjore, nga data që ka filluar kalimi.
    Kur kërkesa bëhet pas mbarimit të afatit, nuk merren parasysh pagesat për dhënien përkohësisht të kësaj të drejte.

  • Neni 275
  • Kur kalimi i ujërave duhet të kryhet duke përshkuar rrugë publike ose lumenj e ndërtime të tjera publike, zbatohen rregullat e parashikuara në dispozita të veçanta.

  • Neni 276
  • Kur në një shtëpi ose në mjediset e tjera të saj mungon uji i nevojshëm për jetesën e njerëzve ose të kafshëve dhe nuk mund të sigurohet ndryshe, ose nevojiten shpenzime të mëdha, pronari i tokës fqinje duhet të lejojë që një sasi uji tepricë të përdoret në masën e domosdoshme për nevojat e mësipërme, duke përballuar pala tjetër vleftën e ujit që kërkohet dhe shpenzimet që duhet të kryhen për këtë qëllim, si dhe kur është rasti të shpërblejë dëmin që mund të shkaktohet.