strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - MËNYRAT E USHTRIMIT TË SERVITUTEVE

  • Neni 285
  • E drejta e servitutit përfshin çdo gjë që është e nevojshme për ta përdorur atë.

  • Neni 286
  • Pronari, pa pëlqimin e uzufruktarit, nuk mund të ngarkojë pronën me servitute që cenojnë të drejtat e uzufruktarit.

  • Neni 287
  • Servituti mbi një pronë që u përket disa personave në bashkëpronësi mund të krijohet vetëm me miratimin e gjithë bashkëpronarëve.
    Servituti i krijuar nga vetëm një ose disa bashkëpronarë, hyn në fuqi kur bashkëpronarët e tjerë bashkarisht apo veçmas, kanë dhënë miratimin për krijimin e tij.

  • Neni 288
  • Personi që ka një të drejtë servituti, duhet ta përdorë atë sipas titullit të tij ose të posedimit të tij. Kur ka dyshime rreth shtrirjes dhe mënyrës së ushtrimit të tij, quhet se servituti është krijuar në mënyrë të tillë që të plotësojë nevojat e pronës dominuese, duke rënduar sa më pak pronën shërbyese.

  • Neni 289
  • E drejta e servitutit duhet të ushtrohet në kohën dhe në mënyrën që sjell më pak vështirësi e shqetësime për pronarin e pronës shërbyese.

  • Neni 290
  • Kur prona në dobi të së cilës është krijuar një servitut pjestohet, servituti do t’i shërbejë secilës pjesë, me kusht që barra e pronës shërbyese të mos rëndohet.

  • Neni 291
  • Pronari nuk duhet që me veprimet ose mosveprimet e tij të pakësojë përdorimin e servitutit ose ta bëjë atë më të vështirë.
    Megjithë këtë, në qoftë se kanë ndryshuar kushtet dhe pronari i pronës shërbyese rëndohet ose pengohet në ushtrimin e të drejtave të pronësisë, mund t’i kërkojë pronarit, në dobi të të cilit është vënë servituti, ndërrimin e vendit të servitutit.
    Këtë të drejtë e ka edhe pronari i pronës tjetër, kur provohet se ky ndërrim sjell dobi dhe nuk dëmton pronën shërbyese.

  • Neni 292 - Mbrojtja e servitutit
  • Personi që ushtron një servitut, ka të drejtë të kërkojë gjyqësisht nga kushdo që kundërshton këtë të drejtë, duke kërkuar sipas rastit rivendosjen e plotë të saj, pushimin e cenimit që i bëhet si edhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar.