Të drejtat e poseduesit për të ardhurat

  • Neni 297
  • Poseduesit me mirëbesim i takojnë frutat natyrore të veçuara dhe frutat civile të vjela që janë bërë të kërkueshme deri në ditën që ka marrë dijeni se është posedues i paligjshëm, ose që i është njoftuar padia e pronarit për kërkimin e sendit. Ai nuk detyrohet të shpërblejë pronarin për humbjen, dëmtimin ose pamundësinë e kthimit të sendit për çdo shkak tjetër, por pas kësaj dite ai përgjigjet për frutat e vjela ose që duhet të kish vjelur, duke vepruar me përkujdesje deri në kohën e kthimit të sendit, për shpërblimin për përdorimin e sendit, si dhe për humbjen, dëmtimin ose pamundësinë e kthimit për faj të tij.

  • Neni 298
  • Poseduesi me keqbesim për gjithë kohën e posedimit të tij, detyrohet t’i kthejë pronarit bashkë me sendin edhe frutat natyrore të veçuara e frutat civile të vjela ose që janë bërë të kërkueshme, dhe të ardhurat e tjera që duhej të vilte, si dhe të shpërblejë pronarin për përdorimin e sendit dhe për humbjen, dëmtimin ose pamundësinë e kthimit të sendit qoftë dhe pa fajin e tij.
    Ai shkarkohet nga përgjegjësia kur provon se dëmi do të shkaktohej edhe sikur të kishte dorëzuar sendin në kohën e duhur, përveç kur ai është marrë me anë vepre penale.