strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

TITULLI III - TRASHËGIMIA ME TESTAMENT

  • Neni 372 - Kuptimi i testamentit
  • Testamenti është një veprim juridik i njëanshëm i kryer nga vetë trashëgimlënësi, me anë të të cilit ky disponon pasurinë e tij për kohën pas vdekjes.
    Testamenti nuk mund të bëhet prej dy ose më shumë personave po në një akt, as edhe në dobi të një të treti, as me disponime reciproke.

  • Neni 373 - Zotësia për të disponuar me testament
  • Testament mund të bëjë çdo person që ka mbushur moshën 18 vjeç, si dhe gruaja nën këtë moshë kur është e martuar.
    I mituri nga 14 gjer në 18 vjeç mund të bëjë testament vetëm për pasurinë që ka fituar me punën e tij.
    Personi të cilit me vendim gjyqi i është hequr zotësia për të vepruar, si dhe ai që në kohën e bërjes së testamentit nuk është në gjendje për të kuptuar rëndësinë e veprimit të tij, nuk mund të bëjë testament.

  • Neni 377 - Caktimi i trashëgimtarit
  • Trashëgimlënësi që nuk lë të paslindur ose të paralindur, ose vëllezër apo motra, ka të drejtë të disponojë me testament pasurinë e vet, në favor të çdo personi fizik apo juridik.

  • Neni 378 - Përjashtimi nga trashëgimia
  • Trashëgimlënësi edhe pa caktuar trashëgimtarë në testament mund të përjashtojë nga trashëgimia ligjore një ose më shumë trashëgimtarë të tij.

  • Neni 381 - Zëvendësimi
  • Trashëgimlënësi mund të caktojë në testament që në rast se trashëgimtari vdes para tij ose bëhet i padenjë, ose heq dorë nga trashëgimi, ta marrë trashëgimin një nga trashëgimtarët e tjerë që tregohen në nenet 361, 363, 364 të këtij Kodi, dhe kur nuk ka asnjë nga këta, ta marrë një njeri tjetër.
    Por trashëgimlënësi nuk mund të detyrojë trashëgimtarin që të ruajë dhe, pas vdekjes së tij t’ia dorëzojë një personi tjetër të gjithë ose një pjesë të trashëgimit që ka marrë.

  • Neni 392 - Format e testamentit
  • Testamenti bëhet në dy forma: ollograf dhe me akt noterial.

  • Neni 397 - Testamenti me akt noterial
  • Testamenti me akt noterial redaktohet nga noteri dhe nënshkruhet nga trashëgimlënësi në prani të noterit.
    Kur trashëgimlënësi nuk di, ose për shkak sëmundjeje ose të metash fizike nuk mund të nënshkruajë, testamenti nënshkruhet sipas rregullave të parashikuara në ligjin “Për noterinë”.

  • Neni 402 - Revokimi i testamentit
  • Testamenti me një datë të mëvonshme lë pa fuqi atë me datë të mëparëshme në tërësi ose vetëm për pjesën që nuk pajtohet me testamentin e ri.
    Testamenti mbetet pa fuqi edhe me anë të një deklarate të bërë nga trashëgimlënësi në noteri.