E drejta e shtimit

  • Neni 382
  • Kur trashëgimlënësi ua ka lënë të gjithë pasurinë e tij trashëgimtarëve të caktuar në testament dhe një nga këta trashëgimtarë ka vdekur para tij, ose është bërë i padenjë, ose ka hequr dorë nga trashëgimi dhe trashëgimlënësi nuk ka caktuar për këto raste një trashëgimtar tjetër në vend të tij, si dhe kur një trashëgimtar është përjashtuar nga trashëgimi, pjesa që i takon atij u shtohet pjesëve të bashkëtrashëgimtarëve të tjerë të caktuar në testament në përpjestim me pjesët e tyre trashëgimore.
    Në qoftë se disa nga trashëgimtarët janë caktuar së bashku në një pjesë të pasurisë, shtimi bëhet vetëm midis këtyre bashkëtrashëgimtarëve.

  • Neni 383
  • Kur trashëgimlënësi ka lënë me testament vetëm një pjesë të pasurisë së tij, edhe sikur në këtë pjesë të ketë caktuar së bashku shumë trashëgimtarë, pjesa e atij që për shkaqet e treguara në nenin e sipërm nuk mund ose nuk do të jetë trashëgimtar, u kalon trashëgimtarëve ligjore të trashëgimlënësit.