strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Ekzekutori i testamentit

  • Neni 414
  • Trashëgimlënësi mund të ngarkojë një ose më shumë persona për të ekzekutuar testamentin.
    Caktimi si ekzekutor duhet të pranohet prej këtij në vetë testamentin ose me një deklaratë të veçantë që i bashkohet testamentit.
    Në qoftë se trashëgimlënësi nuk cakton ekzekutor të testamentit, ekzekutimi i këtij u ngarkohet trashëgimtarëve të caktuar në të.

  • Neni 415
  • Ekzekutori i testamentit duhet të bëjë inventarin e pasurisë trashëgimore, duke ftuar të marrin pjesë trashëgimtarët dhe personat e tjerë që përfitojnë nga testamenti.
    Ekzekutori i testamentit administron pasurinë trashëgimore, duke kryer veprimet që janë të nevojshme për ekzekutimin e disponimeve të testamentit, por nuk mund të tjetërsojë pasurinë trashëgimore, përveç kur shfaqet nevoja dhe me lejen e gjykatës, e cila vendos pasi më parë të dëgjojë trashëgimtarët.

  • Neni 416
  • Gjykata e rrethit, me kërkesën e trashëgimtarëve ose të personave që kanë interes, mund të shkarkojë nga detyra ekzekutorin e testamentit për shkelje të rënda të detyrës së tij ose për pazotësi në administrimin e pasurisë trashëgimore.

  • Neni 417
  • Tagret e ekzekutorit testamentar nuk transmetohen në trashëgimtarët e tij.

  • Neni 418
  • Kur janë shumë ekzekutorë testamentarë, në mungesën e të tjerëve mund të veprojë edhe njëri prej tyre, por të gjithë ata janë përgjegjës solidarë për sendet që u janë besuar, përveç kur testatori u ka ndarë detyrat.