strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Legu dhe barra

  • Neni 384
  • Trashëgimlënësi mund të ngarkojë trashëgimtarin ose trashëgimtarët e caktuar në testament, nga ata që tregohen në nenet 361, 363, 364 të këtij Kodi, që t’u japin një ose më shumë trashëgimtarëve ligjorë një përfitim pasuror nga trashëgimi, pa i bërë këta trashëgimtarë (legu).
    Kur trashëgimlënësi, që nuk ka trashëgimtarë nga ata që tregohen në nenet 361, 363, 364, ka caktuar në testament si trashëgimtarë persona të tjerë, mund t’i ngarkojë këta me lege në dobi të çdo njeriu.
    Dispozitat e zotësisë për të trashëguar vlejnë edhe për personin që i është lënë legu.

  • Neni 385
  • Legatari ka të drejtë të kërkojë frutat ose kamatat që rrjedhin nga legu, nga dita që i është caktuar dorëzimi i legut dhe në mungesë të saj, nga dita e njoftimit të kërkesë-padisë.
    Ato mund të kërkohen nga dita e vdekjes së trashëgimlënësit, kur trashëgimlënësi ka disponuar shprehimisht ose kur legu është një depozitë në para.

  • Neni 386
  • Trashëgimlënësi mund të ngarkojë trashëgimtarin ose trashëgimtarët e caktuar në testament që të kryejnë ndonjë veprim të dobishëm për shoqërinë ose ndonjë veprim tjetër, pa i dhënë të drejtë një personi të caktuar mbi këtë veprim (barrë).
    Kur trashëgimlënësi i lë me testament pasurinë shtetit, organeve të tij, ose enteve të ndryshëm, ka të drejtë të caktojë qëllimin për të cilin duhet të përdoret pasuria.

  • Neni 387
  • Kur trashëgimtari i ngarkuar me legun ose barrën ka vdekur para trashëgimlënësit, ose është bërë i padenjë ose ka hequr dorë nga trashëgimi dhe trashëgimlënësi nuk ka caktuar një trashëgimtar tjetër në vend të tij, për ekzekutimin e detyrimeve në lidhje me legun ose me barrën ngarkohen bashkëtrashëgimtarët ose trashëgimtarët ligjorë, të cilëve u shtohet ose u kalon pjesa e atij, që për shkaqet e sipërme nuk mund ose nuk do jetë trashëgimtar.
    Në qoftë se ekzekutimi i detyrimeve në lidhje me legun ose barrën është lidhur ngushtë me personin e atij, që për shkaqet e sipërme nuk mund ose nuk do jetë trashëgimtar, legu ose barra mbetet pa fuqi.

  • Neni 388
  • Në rast se ndërmjet trashëgimtarëve, asnjëri prej tyre nuk është ngarkuar nga trashëgimlënësi testamentar për të shlyer legun, secili trashëgimtar detyrohet të kontribuojë për shlyerjen e tij sipas pjesës takuese.

  • Neni 389
  • Kur sendi i dhënë në leg është treguar vetëm si lloj ose si masë, e drejta e zgjedhjes i takon trashëgimtarit, por sendi nuk mund të jetë nën kualitetin mesatar.

  • Neni 390
  • Kur personi, të cilit i është lënë legu, ka vdekur para trashëgimlënësit ose është bërë i padenjë ose ka hequr dorë nga legu dhe trashëgimlënësi nuk ka caktuar një person tjetër në vend të tij, legu shkon në dobi të trashëgimtarit të ngarkuar me atë leg.
    Por në qoftë se legu u është lënë shumë personave së bashku, pjesa e atij që nuk mund ose nuk do të marrë legun u shtohet bashkëpjesëtarëve të tij në përpjesëtim me pjesët e tyre.

  • Neni 391
  • Personi, të cilit i është lënë legu, ka të drejtë të kërkojë nga trashëgimtari i ngarkuar ekzekutimin e detyrimit në lidhje me legun.
    Ekzekutimi i detyrimit të trashëgimtarit në lidhje me barrën mund të kërkohet nga ekzekutori i testamentit, nga bashkëtrashëgimtarët, nga organizatat përkatëse shtetërore ose private.
    Detyrimet në lidhje me legun dhe barrën ekzekutohen pas detyrimeve që rëndojnë mbi pasurinë trashëgimore.