Pavlefshmëria e testamentit

  • Neni 403
  • Testamenti është i pavlefshëm kur bëhet nga një person që nuk mund të bëjë testament (neni 373).

  • Neni 404
  • Testamenti është i pavlefshëm kur nuk është bërë në formën e kërkuar nga ligji.

  • Neni 405
  • Testamenti është i pavlefshëm kur disponohet me testament në dobi të personave që nuk mund të trashëgojnë (nenet 374, 375).

  • Neni 406
  • Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është në kundërshtim me nenet 377 e 384 të këtij Kodi.

  • Neni 407
  • Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament i trashëgimlënësit, i përjashton nga trashëgimia ligjore trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë ose cenon pjesën e tyre ligjore.

  • Neni 408
  • Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është bërë në kundërshtim me ligjin ose në mashtrim të ligjit.

  • Neni 409
  • Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është bërë me ndikimin e mashtrimit, kanosjes ose dhunës, ose për shkak të një lajthimi, pa të cilën trashëgimlënësi nuk do kishte bërë këtë disponim.

  • Neni 410
  • Kur testamenti deklarohet nga gjykata i pavlefshëm, në trashëgim thirren trashëgimtarët ligjorë, përveç kur është rasti i shtimit në dobi të trashëgimtarëve të caktuar në testament sipas nenit 381.
    Kur deklarohen të pavlefshme vetëm disa nga disponimet e testamentit, disponimet e tjera mbeten në fuqi.

  • Neni 411
  • Padia për pavlefshmërinë e testamentit ose të disponimit me testament mund të ngrihet nga trashëgimtari dhe nga çdo tjetër person i interesuar brenda tre vjetëve nga çelja e trashëgimisë.

  • Neni 412
  • Kur disponimi me testament është i pavlefshëm për shkak se disponimi nga trashëgimlënësi ka përjashtuar nga trashëgimia ligjore trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë ose cenon pjesën e tyre ligjore (neni 407), trashëgimtari, i përjashtuar nga trashëgimi ose të cilit i është cenuar pjesa ligjore, ka të drejtë të kërkojë nga trashëgimtarët e tjerë, sipas rastit, dorëzimin ose plotësimin e pjesës që i takon atij në bazë të trashëgimisë ligjore.

  • Neni 413
  • Për caktimin e kësaj pjese bashkohet e gjithë pasuria që kishte trashëgimlënësi në kohën e vdekjes së tij, duke u zbritur detyrimet që rëndojnë mbi trashëgiminë dhe pjesëtohet me numrin e trashëgimtarëve që do të thirreshin në trashëgim në qoftë se trashëgimlënësi nuk do kishte bërë testament.