strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - DETYRIMET ALTERNATIVE

  • Neni 436
  • Detyrimi është alternativ kur debitori shkarkohet prej tij, duke përmbushur njërin nga llojet e tij të përmendura veç e veç sipas dëshirës së tij, ose të kreditorit apo të një të treti. Debitori nuk mund të kërkojë nga kreditori të pranojë përmbushjen e detyrimit pjesërisht nga njëri lloj e pjesërisht nga lloji tjetër i tij.

  • Neni 437
  • E drejta e zgjedhjes i takon debitorit, përveç kur është parashikuar nga ligji apo nga kontrata që t’i lihet kreditorit apo një të treti.
    Zgjedhja bëhet e parevokueshme me përmbushjen e njërit nga llojet e detyrimit, ose me njoftimin e deklaratës së zgjedhjes palës tjetër ose të dy palëve, kur e drejta e zgjedhjes i takon një të treti.
    Kur e drejta e zgjedhjes u takon shumë personave dhe ata nuk merren vesh, gjykata u cakton atyre një afat. Kur zgjedhja nuk bëhet në afatin e caktuar, atë e bën gjykata.

  • Neni 438
  • Kur në një detyrim alternativ, debitori nuk ekzekuton ndonjërin nga llojet e detyrimeve në afatin e caktuar, e drejta e zgjedhjes i kalon kreditorit.
    Në rast se e drejta e zgjedhjes i është lënë kreditorit dhe ky nuk e ka ushtruar në afatin e caktuar në marrëveshje ose të caktuar nga debitori, zgjedhja i kalon këtij të fundit.
    Kur e drejta e zgjedhjes i është lënë një të treti dhe ai nuk e ushtron në afatin e caktuar, zgjedhja bëhet nga gjykata.
    Kur kjo e drejtë u është lënë disa personave, gjykata u cakton atyre një afat. Në rast se zgjedhja nuk bëhet në afatin e caktuar, ajo bëhet nga gjykata.

  • Neni 439
  • Detyrimi alternativ është i thjeshtë kur njëri nga të dy llojet e detyrimit nuk mund të bëhet objekt detyrimi, ose kur përmbushja e tij është bërë e pamundur pa fajin e asnjërës palë.

  • Neni 440
  • Kur e drejta e zgjedhjes i është lënë debitorit, detyrimi alternativ bëhet i thjeshtë në rast se njëri nga të dy llojet e detyrimit bëhet i pamundur dhe për fajin e tij. Në rast se kjo pamundësi ndodh për fajin e kreditorit, debitori shkarkohet nga detyrimi kur ai nuk pranon të zbatohet detyrimi tjetër dhe të kërkojë shpërblimin e dëmit.
    Kur zgjedhja i është lënë kreditorit, debitori shkarkohet nga detyrimi kur pamundësia e përmbushjes së njërit nga të dy llojet e detyrimit ka ndodhur për faj të kreditorit dhe ky nuk pranon të ekzekutohet lloji tjetër i detyrimit dhe të kërkojë të shpërblehet dëmi.
    Në rast se zgjedhja i është lënë kreditorit dhe pamundësia i ngarkohet debitorit, kreditori mund të zgjedhë detyrimin tjetër ose të kërkojë shpërblimin e dëmit.

  • Neni 441
  • Kur të dy llojet e detyrimit janë bërë të pamundura dhe debitori duhet të përgjigjet për njërin prej tyre, ai duhet të paguajë vleftën e detyrimit që është bërë i pamundur i fundit, në qoftë se zgjedhja i është lënë atij.
    Në qoftë se e drejta e zgjedhjes i është lënë kreditorit, ky ka të drejtë të kërkojë vleftën e njërit ose tjetrit lloj detyrimi.