strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU V - DETYRIMET MONETARE

  • Neni 445
  • Detyrimi për të paguar një shumë parash shlyhet me vleftën e vet nominale, përveç kur rezulton ndryshe nga ligji ose nga kontrata.

  • Neni 446
  • Detyrimi monetar përmbushet me monedhën që është në qarkullim në shtetin ku bëhet pagimi ose me monedhën e pranuar në kontratë.

  • Neni 447
  • Kur kreditori ka një llogari rrjedhëse në shtetin ku duhet ose mund të bëhet pagesa, debitori mund të përmbushë detyrimin duke kredituar në këtë llogari shumën përkatëse, përveç kur kreditori e ka përjashtuar pagesën në këtë llogari.
    Pagesa quhet e kryer në momentin e kreditimit të saj në llogari.

  • Neni 448
  • Pagesa kryhet në vendbanimin e kreditorit në datën e pagesës.
    Kreditori mund të caktojë një vend tjetër brenda kufijve të shtetit ku ka vendbanimin në kohën e pagimit ose të lindjes së detyrimit.

  • Neni 449
  • Në rast se pagimi duhet të kryhet në një vend tjetër nga vendbanimi i kreditorit në kohën e lindjes së detyrimit dhe përmbushja e këtij detyrimi do të vështirësohej së tepërmi debitori mund të pezullojë pagimin derisa kreditori të ketë caktuar një vend tjetër i cili do të mënjanonte shpenzimet e tepërta.

  • Neni 450
  • Shpërblimi për dëmin e shkaktuar si rrjedhim i vonesës në pagimin e një shume parash, përbëhet nga kamatat e arrira, prej datës së fillimit të vonesës së debitorit, me monedhën zyrtare të vendit ku bëhet pagimi.
    Përqindja e kamatës caktohet me ligj.
    Në mbarim të çdo viti kamatat e arrira i shtohen shumës së detyruar mbi bazën e të cilës është bërë llogaritja e tyre.
    Kamata ligjore paguhet pa qenë i detyruar kreditori të provojë ndonjë dëm. Kur kreditori provon se ka pësuar një dëm më të madh se kamata ligjore, debitori detyrohet t’i paguajë atij pjesën tjetër të dëmit.

  • Neni 451
  • Kur detyrimi lidhet me pagesen e një shume parash në monedhë që nuk ka kurs zyrtar në shtetin ku duhet të kryhet pagesa, debitori ka të drejtë të ekzekutojë detyrimin në monedhën që ka kurs zyrtar në shtetin ku duhet të kryhet pagesa, përveç kur në ligj ose në kontratë parashikohet ndryshe.

  • Neni 452
  • Kur detyrimi lidhet me pagesën e një shume parash në monedhë të ndryshme nga ajo e vendit ku duhet të kryhet pagesa dhe debitori pretendon se nuk është në gjendje të shlyejë detyrimin në këtë monedhë, kreditori mund të pranojë shlyerjen në monedhën e vendit të kryerjes së pagesës.
    Rregulli i mësipërm zbatohet edhe kur debitori detyrohet të bëjë pagesën me monedhën e pranuar në fillim.

  • Neni 453
  • Kur detyrimi duhet të ekzekutohet me një monedhë të ndryshme nga ajo e pranuar në fillim, konvertimi duhet të bëhet me kursin zyrtar të këmbimit të ditës së pagimit.

  • Neni 454
  • Neni 450 i këtij Kodi nuk i heq të drejtën kreditorit që të kërkojë shpërblimin e dëmit të pësuar nga fakti që nga dita e vënies në vonesë të debitorit ka pësuar ndryshime kursi i këmbimit të monedhës që përcaktohet në detyrim.