strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - EFEKTET E MOSEKZEKUTIMIT TË DETYRIMEVE DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 476
  • Çdo mangësi në ekzekutimin e detyrimeve e detyron debitorin të shpërblejë dëmin që ka pësuar kreditori, përveç kur ai provon se mospërmbushja nuk ka ndodhur për fajin e tij.
    Në këtë rast kreditori ka të drejtë:
    a) të kërkojë ekzekutimin në natyrë të detyrimit, veçanërisht dorëzimin e sendit ose kryerjen e punimeve, si dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga vonesa e ekzekutimit; ose
    b) shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga mosekzekutimi i detyrimit.

  • Neni 477
  • Debitori që në ekzekutimin e detyrimit përdor punën e të tretëve përgjigjet për veprimet e tyre, të kryera me faj, si të ishin të vetat.

  • Neni 478
  • Kur detyrimi ka lidhje me veprime që mund të kryhen edhe nga persona të tjerë dhe debitori nuk ekzekuton detyrimin, kreditori ka të drejtë të kërkojë t’i kryejë ai vetë për llogari të debitorit.

  • Neni 479
  • Çdo marrëveshje që përjashton ose kufizon palët nga përgjegjësia për mosekzekutimin e detyrimeve është e pavlefshme.

  • Neni 480
  • Kur ekzekutimi i detyrimit bëhet i pamundur për fajin e debitorit, kreditori ka të drejtë të kërkojë prej tij shpërblimin e dëmit të shkaktuar.
    Debitori është me faj kur, me dashje ose nga pakujdesia, ka krijuar rrethana që e kanë bërë të pamundur ekzekutimin ose kur nuk ka marrë masa për ta ndaluar atë.

  • Neni 484
  • Kreditori mund të mos pranojë ofertën e debitorit që është me vonesë për ekzekutimin e detyrimit, në rast se ajo nuk përmban edhe shpërblimin e dëmit të pësuar dhe shpenzimet e bëra gjatë vonesës, ose kur kreditori për shkak të vonesës së debitorit nuk ka interes për ekzekutimin e detyrimit.

  • Neni 485
  • Debitori që ka një kredi të kërkueshme ndaj kreditorit të tij, mund të pezullojë zbatimin e detyrimit deri në pagesën e kredisë, me kusht që ndërmjet kredisë dhe detyrimit të ketë lidhje të mjaftueshme, siç mund të jetë ndër të tjera, qënia e një raporti të vetëm juridik ose të marrëdhënieve që palët kanë patur rregullisht.

    Pezullimi i ekzekutimit të detyrimit nuk mund të kërkohet kur:

    a) ekzekutimi i detyrimit nga pala tjetër bëhet i pamundur për shkak të vonesës së kreditorit, ose është i pamundur në mënyrë të përherëshme;

    b) kredia e palës tjetër është e pasekuestrueshme.

  • Neni 486
  • Dëmi që duhet të shpërblehet nga debitori për mosekzekutimin e detyrimit përbëhet nga të gjitha humbjet e pësuara nga pakësimi i pasurisë, si dhe fitimi që mund të nxirrej në kushtet e zakonshme të tregut (fitimi i munguar). Bëjnë pjesë në shpërblimin për riparimin e dëmit edhe shpenzimet e arsyeshme e të nevojshme për të parandaluar ose për të pakësuar dëmin, që kanë lidhje me rrethanat mbi të cilat bazohet përgjegjësia e palës, shpenzimet e arsyeshme e të nevojshme për të përcaktuar dëmin dhe përgjegjësinë, si dhe ato që janë nevojitur për të gjetur një zgjidhje jashtë gjyqësore të përmbushjes së detyrimit.

  • Neni 487
  • Në kontratë me detyrime të dyanshme, palët duhet të ekzekutojnë detyrimin e tyre në të njëjtën kohë, përveç kur nga kontrata ose nga natyra e detyrimit del se njëra palë duhet të ekzekutojë detyrimin e saj më parë se tjetra.

  • Neni 488
  • Kur në një kontratë me detyrime të dyanshme, ekzekutimi i detyrimit të një pale është bërë i pamundur pa fajin e asnjërës palë, secila prej tyre nuk ka të drejtë të kërkojë nga tjetra ekzekutimin e detyrimit ose shpërblimin e dëmit, përveç kur në ligj ose në kontratë është parashikuar ndryshe. Secila nga palët ka të drejtë të kërkojë nga pala tjetër që t’i kthejë atë që është dhënë për ekzekutimin e detyrimit.

  • Neni 489
  • Në qoftë se në një kontratë me detyrime të dyanshme, ekzekutimi i detyrimit të njërës palë është bërë i pamundur, për shkak se pala tjetër ka rënë në paaftësi paguese, ose ka falimentuar ose për ndonjë rrethanë tjetër të ndodhur për faj të saj, pala tjetër ka të drejtë të mos zbatojë detyrimet e veta, derisa t’i garantohet ekzekutimi i detyrimit në dobi të saj, ose të kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga mosekzekutimi i kontratës.

  • Neni 490
  • Kur është vendosur që kreditorit t’i paguhet shpërblimi për mosekzekutimin e detyrimit ose për ekzekutimin me vonesë të tij, gjykata duke marrë parasysh gjendjen pasurore të debitorit, mund të caktojë një afat tjetër për pagimin e këtij shpërblimi, ose të lejojë që të paguhet me këste.