strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Kompensimi

  • Neni 514
  • Kur dy persona i detyrohen njëri tjetrit në para ose në sende të një lloji e të zëvendësueshme dhe detyrimet e tyre janë të kërkueshme, të sakta e të caktuara në shumë ose në sasi, detyrimet e të dy palëve shuhen, duke bërë kompensimin ndërmjet tyre. Detyrimet shuhen deri në shumën ose sasinë e detyrimit më të vogël.

  • Neni 515
  • Kompensimi shuan të dy detyrimet nga data e bashkimit të tyre.
    Kur për njërën nga kreditë ose mbi të dyja janë paguar kamata, kompensimi bëhet deri në afatin e fundit në të cilën janë paguar kamatat.
    Parashkrimi nuk e ndalon kompensimin, në rast se nuk është plotësuar në ditën kur është bërë bashkimi i të dy detyrimeve.

  • Neni 516
  • Kompensimi bëhet me anë të një deklarate që njëra palë i dërgon palës tjetër. Deklarata nuk mund të bëhet me afat ose me kusht.
    Kur kompensimi nuk mbulon gjithë kredinë ose kur kreditori ka nevojë të mbajë titullin e kredisë për të ushtruar të drejtat e tjera të tij, mund ta mbajë atë me kusht që të shënojë në titull përmbajtjen e deklaratës dhe t’i japë palës tjetër një kopje të titullit të kredisë.

  • Neni 517
  • Kur deklarata për kompensimin e dhënë nga njëra palë, nuk pranohet nga pala tjetër, ajo detyrohet të njoftojë menjëherë palën që ka dërguar deklaratën, duke parashtruar shkaqet e mospranimit.

  • Neni 518
  • Nuk mund të kompensohen pa pëlqimin e kreditorit:
    a) kreditë që rrjedhin nga shkaktimi i vdekjes ose i dëmtimit të shëndetit;
    b) kreditë që nuk mund të sekuestrohen;
    c) kreditë që rrjedhin nga tatimet dhe taksat.

  • Neni 519
  • Kompensimi nuk kryhet kur është në dëm të personave të tretë që kanë fituar të drejta uzufrukti ose pengu mbi kredinë.

  • Neni 520
  • Dorëzanësi mund të kundrejtojë kompensimin e detyrimit të kreditorit ndaj debitorit kryesor. Debitori kryesor nuk mund të kundrejtojë kompensimin e detyrimit të kreditorit ndaj dorëzënësit.

  • Neni 521
  • Kur dy detyrime nuk janë të pagueshme në një vend, nuk mund të bëhet kompensimi i tyre, veçse duke llogaritur shpenzimet e nevojshme për transferimin e tyre në vendin e ekzekutimit.

  • Neni 522
  • Kur kreditë dhe detyrimet monetare përfshihen në një llogari të vetme, ato kompensohen menjëherë, sipas renditjes që palët kanë pranuar në marrëveshje dhe në mungesë të saj sipas rregullave të parashikuara në nenet 469 dhe 470 të këtij Kodi.
    Pala që administron llogarinë, pasi e mbyll atë me kompensimin e bërë, i njofton palës tjetër se cila është mbetja, datën e saktë të llogaritjes, si dhe zërat që përbëjnë llogarinë dhe që nuk i janë komunikuar ende palës tjetër.
    Në qoftë se pala tjetër nuk kundërshton atë në një afat të arsyeshëm, mbetja e njoftuar konsiderohet si e pranuar nga palët.

  • Neni 523
  • Kur në një deklaratë kompensimi nuk tregohen në mënyrë të mjaftueshme detyrimet e përfshira në kompensim, zbatohen rregullat e parashikuara në nenin 470 të këtij Kodi.
    Secila palë mund të kundërshtojë menjëherë kompensimin e bërë, në rast se llogaritja e detyrimit, e shpenzimeve dhe e interesave nuk është kryer sipas rregullave të sipërpërmendura.