KREU I - DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 530
  • Kreditori mund të shpërblehet me të gjithë pasurinë e tashme dhe të ardhshme të debitorit të tij, përveç rasteve kur me ligj është parashikuar ndryshe.
    Një pronë mund të rëndohet nga pronari i saj, me qëllim që të sigurohet pagimi i një detyrimi.

  • Neni 531
  • Kreditorët kanë të drejta të barabarta për t’u shpërblyer me pasurinë e debitorit, përveç shkaqeve të ligjshme të preferimit.
    Janë shkaqe të ligjshme të preferimit privilegjet, pengu dhe hipoteka.

  • Neni 532
  • Pengu dhe hipoteka mund të vihen vetëm për një detyrim efektiv.
    Pengu dhe hipoteka mund të vihen si për një detyrim të pronarit të sendit të lënë peng ose hipotekë, ashtu dhe për një detyrim të një personi tjetër.

  • Neni 533
  • Pengu ose hipoteka mund të garantojë një kredi ekzistuese ose një kredi të ardhshme. Kredia për të cilën jepet garancia duhet të jetë
    e përcaktuar qartë.
    Pengu ose hipoteka mund të vihet edhe për një detyrim me kusht.

  • Neni 534
  • Pengu ose hipoteka shtrihen përkatësisht mbi të gjitha punimet që përmirësojnë vleftën e pronës, kreditë dhe shpërblimet që u shtohen ose që zëvendësojnë pasurinë e rënduar, duke përfshirë edhe atë që kompensohet nga zhvleftësimi.

  • Neni 535
  • Në qoftë se sendet e lëna peng ose hipotekë humbasin ose zhvleftësohen, pagesa e shumave, për të cilat detyrohen siguruesit ose të tretët që përgjigjen për zhdëmtimin, nxirren nga pagesa e kredive që lidhen me pengun ose hipotekën, përveç rastit kur ato përdoren për të ndrequr humbjen ose zhvleftësimin e sendeve.

  • Neni 536
  • Në qoftë se sendi i dhënë në peng ose i lëshuar në hipotekë humbet ose dëmtohet qoftë dhe për rast fator, në mënyrë që të mos dëmtohen të drejtat e kreditorit, ky i fundit mund të kërkojë që t’i jepet garanci e plotë mbi sende të tjera dhe, në mungesë të saj, mund të kërkojë pagesën e menjëhershme të kredisë së tij.

  • Neni 537
  • Pengu dhe hipoteka janë të papjesëtueshme edhe sikur detyrimi të jetë i pjesëtueshëm.

  • Neni 538
  • Kur pengu ose hipoteka janë vënë për të siguruar një detyrim të një personi tjetër, pronari i sendit të lënë peng ose hipotekë mund t’i kundrejtojë kreditorit të gjitha prapsimet që mund t’i kundrejtonte debitori dhe të kërkojë kompensimin e detyrimit me kreditë që ka debitori ndaj kreditorit.

  • Neni 539
  • Kur kreditori nuk paguhet tërësisht nga sendi i lënë peng ose hipotekë, ka të drejtë që pjesën e kredisë së papaguar ta nxjerrë nga çdo pasuri tjetër e debitorit, por pa patur të drejtën e preferimit ndaj kreditorëve të tjerë, siç e kishte për sendin e lënë peng, ose hipotekë.

  • Neni 540
  • Është e pavlefshme marrëveshja sipas së cilës përcaktohet se në mungesë të pagesës së kredisë në afatin e caktuar, pronësia mbi sendin e hipotekuar ose të dhënë peng i kalon kreditorit.