Të drejta e detyrime të palëve

  • Neni 549
  • Kreditori detyrohet ta ruajë sendin e marrë në peng dhe përgjigjet, sipas rregullave të përgjithshme, për humbjen dhe dëmtimin e tij.
    Personi që ka dhënë pengun detyrohet të paguajë shpenzimet e kryera për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e sendit.

  • Neni 550
  • Në qoftë se sendi i dhënë peng sjell fryte ose të ardhura, kreditori ka të drejtë t’i bëjë ato të vetat, duke i përdorur së pari për shpenzimet dhe kamatat dhe pastaj për kredinë, përveç kur është parashikuar ndryshe në kontratë.

  • Neni 551
  • Kreditori nuk mund të përdorë sendin e dhënë peng pa patur pëlqimin e pengdhënësit, përveç kur përdorimi është i nevojshëm për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tij.
    Ai nuk mund ta japë sendin në peng ose t’ua lërë të tjerëve në përdorim.

  • Neni 552
  • Në qoftë se kreditori shpërdoron sendin e dhënë në peng, pengdhënësi mund të kërkojë vënien e sendit në sekuestro.

  • Neni 553
  • Personi që ka dhënë pengun nuk mund të kërkojë kthimin e sendit, në qoftë se nuk janë paguar tërësisht kredia, kamatat, si dhe shpenzimet që kanë lidhje me detyrimin dhe me pengun.
    Në qoftë se pengu është dhënë nga një debitor, i cili ka ndaj të njëjtit kreditor një detyrim tjetër të lindur pas vënies së pengut dhe që është bërë i kërkueshëm përpara detyrimit të mëparshëm, kreditori ka vetëm të drejtën të mbajë sendin deri sa të paguhen plotësisht të dy kreditë.

  • Neni 554
  • Në rast se sendi i dhënë në peng cenohet ose i pakësohet vlefta në mënyrë të tillë që dyshohet nëse do të jetë i mjaftueshëm për sigurimin e kreditorit, ky i fundit, pasi të njoftojë pengdhënësin, mund të kërkojë prej gjykatës autorizimin për të shitur sendin.
    Gjykata kur jep autorizim për shitje vendos edhe për depozitimin e çmimit të blerjes për të garantuar kredinë.
    Pengdhënësi mund të shmangë shitjen dhe të kërkojë prej gjykatës kthimin e pengut, duke ofruar një garanci tjetër reale, të cilën gjykata e çmon të mjaftueshme.
    Në rast cenimi ose pakësimi të vleftës së sendit të dhënë peng, pengdhënësi mund të kërkojë prej gjykatës autorizim për të shitur sendin, në qoftë se atij i paraqitet një rast i favorshëm.
    Gjykata, kur jep autorizimin për shitje, vendos edhe për kushtet e shitjes dhe të depozitimit të çmimit të blerjes.

  • Neni 555
  • Kur sendet e lëna peng prishen, dëmtohen ose shpronësohen për interesa publike, kreditorët që janë të siguruar me peng, kanë të drejtë të paguhen me preferim, sipas rradhës së preferimit që kanë patur kreditë e tyre, nga shuma e shpërblimit të sendit ose nga çmimi i shpronësimit të tij.