strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Efektet e dorëzanisë dhe detyrimet e palëve

  • Neni 589
  • Dorëzanësi përgjigjet për aq sa detyrohet debitori kryesor, duke përfshirë edhe pagimin e kamatës, shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga vonesa e ekzekutimit dhe të shpenzimeve të tjera që ka bërë kontraktori për të nxjerrë kredinë e tij, përveç kur në marrëveshje pranohet që dorëzania të jepet edhe për një pjesë të detyrimit, ose me kushte më të lehta ose më të pakta se detyrimi kryesor.
    Dorëzania që kalon detyrimin ose që jepet në kushte më të rënda se detyrimi kryesor, është e vlefshme vetëm deri në kufijtë e këtij të fundit.

  • Neni 590
  • Dorëzanësi është i detyruar solidarisht mbi debitorin kryesor për ekzekutimin e detyrimit, përveç kur është parashikuar ndryshe me marrëveshje.
    Palët mund të merren vesh që dorëzanësi të mos jetë i detyruar të paguajë para kryerjes së të gjitha veprimeve të nevojshme,që detyrojnë debitorin të paguajë detyrimin. Në rast se dorëzanësi paditet dhe kërkon të përdorë një të drejtë të tillë, ai duhet të tregojë pasurinë e debitorit kryesor që do t’i nënshtrohet ekzekutimit. Dorëzanësi është i detyruar të parapaguajë shpenzimet e nevojshme, në qoftë se palët nuk janë marrë vesh ndryshe.

  • Neni 591
  • Kur disa persona janë bërë dorëzanës për të njëjtin debitor, për të siguruar të njëjtin detyrim, secili prej tyre përgjigjet për të gjithë detyrimin, përveç kur ka marrëveshje për ndarjen e tij.

  • Neni 592
  • Dorëzanësi ka të drejtë t’i kundrejtojë kreditorit të gjitha prapësimet që mund t’i kundrejtonte këtij debitori dhe të kërkojë kompensimin e asaj që kreditori i detyrohet debitorit edhe sikur ky të ketë hequr dorë nga këto të drejta ose të ketë pranuar detyrimin.

  • Neni 593
  • Dorëzanësi që ka ekzekutuar detyrimin në vend të debitorit, zë vendin e kreditorit në të gjitha të drejtat e tij ndaj debitorit.

  • Neni 594
  • Kur janë shumë debitorë kryesorë të detyruar solidarisht për të njëjtin detyrim, dorëzanësi që ka dhënë garanci për të gjithë ata, ka të drejtën e padisë së kthimit nga secili prej tyre për të marrë shumën që ka paguar.

  • Neni 595
  • Kur dorëzanësi ka ekzekutuar detyrimin e debitorit pa u paditur në gjyq dhe pa lajmëruar debitorin kryesor, ky mund t’i kundrejtojë dorëzanësit të gjitha prapsimet që do të mund t’i kundrejtonte kreditorit në kohën e ekzekutimit të detyrimit.
    Dorëzanësi që ka ekzekutuar detyrimin e debitorit nuk ka të drejtë të kërkojë me padi nga debitori atë që ka ekzekutuar për të, në rast se edhe debitori ka ekzekutuar detyrimin e tij për shkak se dorëzanësi nuk e ka lajmëruar për ekzekutimin e detyrimit që ka bërë ai vetë.
    Në të dy rastet, dorëzanësi ka të drejtë të ngrejë padi kundër kreditorit dhe të kërkojë atë që ka ekzekutuar për debitorin kryesor.

  • Neni 596
  • Debitori që ka ekzekutuar detyrimin duhet të lajmërojë menjëherë dorëzanësin. Në rast të kundërt, dorëzanësi, që ka ekzekutuar detyrimin e debitorit, nuk e humbet të drejtën që të kërkojë nga debitori atë që ka ekzekutuar për të. Debitori, në këtë rast, është i detyruar të ekzekutojë për të dytën herë detyrimin, por ka të drejtë që të ngrejë padi kundër kreditorit për atë që ky ka fituar pa shkak.