Neni 605

(Ndryshuar me ligjin nr. 8536, datë 18.10.1999, neni 3)

Paguhen me preferim, sipas radhitjes së tyre kreditë e mëposhtme:

a) kreditë që rrjedhin nga transaksionet financiare të siguruara me barrë siguruese për çmimin e blerjes së një objekti të veçantë;

b) kreditë që rrjedhin nga pagat në marrëdhëniet e punës ose të shërbimit dhe detyrimet për ushqim, por jo më shumë se për 12 muaj;

c) kreditë e sigurimeve shoqërore për kontributet e papaguara së bashku me kamatat, si dhe kreditë e punonjësve për dëmet e pësuara nga mospagimi prej punëdhënësit të kontributeve të mësipërme;

ç) keditë që rrjedhin nga shpërblime për shkak vdekjeje e dëmtimi të shëndetit;

d) kreditë e autorëve dhe të trashëgimtarëve të tyre për shpërblimet që rrjedhin nga tjetërsimi i plotë ose i pjesshëm i të drejtave të tyre në fushën intelektuale për detyrimet e lindura gjatë dy vjetëve të fundit;

dh) kreditë e shtetit, që rrjedhin nga detyrimet ndaj buxhetit dhe kreditë e institutit të sigurimeve shtetërore për sigurimet e detyrueshme, të përcaktuara me ligj;

e) kreditë, që rrjedhin nga transaksionet financiare, të siguruara me barrë siguruese, sipas kritereve të përcaktuara me ligj;

ë) kreditë, që rrjedhin nga pagat në marrëdhëniet e punës ose të shërbimit dhe detyrimet për ushqim tej kufirit të caktuar në shkronjën “b” të këtij neni;

f) shpërblimi i ndërmjetësimit që rrjedh nga kontrata e agjencisë, kur ai rrjedh gjatë vitit të fundit të shpërblimit;

g) kreditë e siguruara me hipotekë ose me peng që nuk krijojnë barrë siguruese, sipas ligjit, nga vlefta e sendeve në hipotekë ose të lëna peng;

gj) kreditë që rrjedhin nga shpenzimet e gjyqit për ruajtjen e sendit dhe ato për veprime ekzekutive, të bëra në interesin e përbashkët të kreditorëve, nga vlefta e shitjes së sendeve;

h) kreditë e dhëna nga bankat, të cilat nuk përfshihen në shkronjën “e” dhe kreditë që rrjedhin nga sigurimet vullnetare;

i) kreditë për furnizimin me farëra, plehra kimike, insekticide, ujë për ujitje dhe për punimet e kultivimit e të mbledhjes së prodhimeve bujqësore, mbi prodhimin (frutet) bujqësor të vitit, për të cilin janë përdorur kreditë.

Kur ka disa kredi sipas shkronjës “a” dhe shkronjës “e” të këtij neni, rradha e preferimit, përcaktohet sipas kritereve të përcaktuar me ligj të veçantë. Kur ligji i veçantë nuk i jep një kredie sipas shkronjës “a” preferim mbi kreditë sipas shkronjës “e”, kredia sipas shkronjës “a” do të preferohet sipas shkronjës “e”. Përjashtohen nga radha e preferimit sipas këtij neni kreditë sipas shkronjës “e”, që janë dhënë aktualisht, të cilat do të preferohen përpara kredive sipas shkronjës “dh” në rastet që vijojnë:

- kredia sipas shkronjës “e” është regjistruar sipas ligjit, ndërsa kredia sipas shkronjës “dh” nuk është regjistruar;
- kredia sipas shkronjës “e” është regjistruar sipas ligjit, përpara regjistrimit të kredisë sipas shkronjës “dh”.