strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

TITULLI V - GJERIMI I PUNËVE TË TË TJERËVE

  • Neni 648
  • Personi që, pa qënë i detyruar, merr përsipër me ndërgjegje dhe për një qëllim të arsyeshëm gjerimin e punëve ose interesave të tjetrit, është i detyruar ta vazhdojë atë derisa personi i interesuar të jetë në gjendje të kujdeset vetë.

  • Neni 649
  • Personi i interesuar duhet të përmbushë detyrimet që gjeruesi ka marrë përsipër në emër të tij, të përjashtojë gjeruesin nga detyrimet që ka marrë në emër të vet dhe t’i paguajë atij shpenzimet e nevojshme e të dobishme që nga dita që janë bërë dhe, kur është rasti, t’i shpërblejë edhe dëmin që mund të ketë pësuar si rrjedhim i gjerimit, por me kusht që veprimet e kryera nga gjeruesi, të mos kenë qenë ndaluar nga personi i interesuar.
    Kur gjeruesit, përveç gjerimit të punëve, i është dashur për këtë qëllim të ushtrojë një profesion, ka të drejtë të shpërblehet në përputhje me çmimet ose tarifat e caktuara për aktivitete të tilla.

  • Neni 650
  • Gjeruesi ka të drejtë të kryejë veprime juridike në emër të personit të interesuar, në masën që interesi i këtij të fundi plotësohet në mënyrë të përshtatshme.

  • Neni 651
  • Gjeruesi u nënshtrohet detyrimeve të njëjta që rrjedhin nga një kontratë porosie.
    Gjykata, duke marrë parasysh rrethanat të cilat kanë ndikuar tek gjeruesi për të marrë përsipër gjerimin, mund të pakësojë dëmshpërblimin për dëmin që është shkaktuar për faj të tij.

  • Neni 652
  • Personi i interesuar, me anë miratimi të veprimtarisë të gjeruesit, mund të tërheqë të drejtën e tij për të kërkuar dëmshpërblim nga gjeruesi, sipas dispozitës së mësipërme. Për këtë qëllim personit të interesuar duhet t’i jepet një afat i arsyeshëm.