Lidhja e kontratës

  • Neni 664
  • Kur kontrata përmban vetëm detyrimin e propozuesit, pritësi mund ta refuzojë propozimin brenda afatit të caktuar, ose që rrjedh nga natyra e marrëveshjes. Në mungesë të një refuzimi të tillë, kontrata quhet e lidhur.

  • Neni 665
  • Personi që propozon përfundimin e një kontrate është i lidhur me propozimin, përveç kur kjo lidhje është përjashtuar. Kur propozimi refuzohet ose nuk pranohet në afatin e caktuar, quhet i rënë.
    Kur nuk është caktuar afat, propozuesi është i lidhur me propozimin e bërë, gjer në kohën që zakonisht apo sipas rrethanave, është e nevojshme që këtij t’i arrijë përgjigjja e palës tjetër.

  • Neni 666
  • Propozimi për të lidhur një kontratë, që i bëhet një personi të pranishëm, pa iu caktuar një afat për pranimin, e humbet fuqinë e tij, në qoftë se personi i pranishëm nuk e pranon propozimin menjëherë.

  • Neni 667
  • Kur propozuesi ka caktuar një afat për pranimin, është e nevojshme që përgjigjja të vijë brenda afatit.
    Propozuesi mund ta quajë të vlefshëm pranimin e vonuar, por duhet të njoftojë menjëherë palën tjetër.
    Kur pranimi është dërguar në kohë, por i ka mbrritur propozuesit me vonesë dhe ky nuk dëshiron të jetë i lidhur me atë, duhet të njoftojë në çast pranuesin.

  • Neni 668
  • Propozimi për të lidhur një kontratë e humbet fuqinë e tij, në qoftë se propozuesi njofton palën tjetër, para se asaj t’i ketë arritur propozimi, se e ka tërhequr atë.
    Ky rregull vlen edhe për tërheqjen e pranimit nga pala tjetër.

  • Neni 669
  • Kur me kërkesën e propozuesit, ose duke marrë parasysh natyrën e marrëveshjes e rrethanat që kanë lidhje me atë, rezulton që nuk ish e nevojshme pritja e pranimit të shprehur të propozimit, ose detyrimi do të kryhej pa marrë një përgjigje paraprake, kontrata quhet e lidhur, në kohën e në vendin ku ka filluar zbatimi i saj.
    Pala që zbaton detyrimin duhet të njoftojë menjëherë palën tjetër për fillimin e ekzekutimit të kontratës, përndryshe detyrohet të shpërblejë dëmin.

  • Neni 670
  • Pranimi i propozimit që nuk përputhet me përmbajtjen e tij, quhet mospranim dhe njëkohësisht si një propozim i ri.

  • Neni 671
  • Oferta vlen si propozim, kur përmban elementet thelbësore të kontratës, që kërkohet të përfundohet, përveç kur rezulton ndryshe nga rrethanat e çështjes.

  • Neni 672
  • Pala kontraktuese mund të heqë dorë nga kontrata, brenda shtatë ditëve nga përfundimi i saj, pa treguar arsyet, kur:

    - kontrata është përfunduar në vendin e punës ose të banimit të njërës palë, gjatë një eskursioni të organizuar në një mjedis publik, ose në kushte të tilla, që nuk i korrespondon një situate normale bisedimesh;

    - në kontratën që ka për objekt dhënien e një kredie për të blerë një send konsumi, shitësi duhet të njoftojë me shkrim blerësin për të drejtën e heqjes dorë nga kontrata e lidhur në kushtet e sipërme, për ndryshe afati i heqjes dorë është një vit.

  • Neni 673
  • Një ndërmarrje që zë një pozitë dominuese në treg, është e detyruar të kontraktojë me cilindo që kërkon një detyrim, i cili bën pjesë në objektin e veprimtarisë së saj, në përputhje me ligjet e zakonet e mira tregtare.
    Përfundimi i një kontrate, nuk mund të refuzohet pa një arsye të ligjshme.

  • Neni 674
  • Palët gjatë zhvillimit të bisedimeve për hartimin e kontratës, duhet të sillen me mirëbesim ndaj njëra-tjetrës.
    Pala që ka ditur, ose që duhej të dinte shkakun e pavlefshmërisë së kontratës dhe nuk ia ka bërë të ditur atë palës tjetër, detyrohet të shpërblejë dëmin që kjo e fundit ka pësuar, për shkak se besoi pa fajin e vet në vlefshmërinë e kontratës.

  • Neni 675
  • Në rast se një palë kontraktuese disponon njohuri profesionale dhe pala tjetër i ngjall asaj besim të plotë, e para ka detyrim t’i japë asaj me mirëbesim, informata e udhëzime.

  • Neni 676
  • Kontrata quhet e lidhur kur palët kanë shfaqur në mënyrë të ndërsjellë vullnetin e tyre, duke u marrë vesh për të gjitha kushtet thelbësore të saj.
    Shfaqja e vullnetit mund të jetë e shprehur ose në mënyrë heshtësore.

  • Neni 677 - Shkaku i paligjshëm
  • Në një kontratë, shkaku ligjor është i paligjshëm kur vjen në kundërshtim me ligjin, rendin publik, ose kur kontrata bëhet mjet për të shmangur zbatimin e një norme.