Zgjidhja e kontratës

  • Neni 698
  • Në kontrata me detyrime të ndërsjella, kur njëra nga palët kontraktuese nuk përmbush detyrimet e veta, pala tjetër kontraktuese, sipas rastit, mund të kërkojë përmbushjen e detyrimit, ose zgjidhjen e kontratës, përveç shpërblimit të dëmit.

  • Neni 699
  • Kontrata nuk mund të zgjidhet në qoftë se mospërmbushja e detyrimit prej njërës nga palët ka rëndësi të pakët për interesat e palës tjetër.

  • Neni 700
  • Pala kontraktuese mund të njoftojë me shkrim palën tjetër që nuk ka përmbushur detyrimin, që ta përmbushë atë në një afat të përshtatshëm, duke deklaruar se, po qe se pas këtij afati kontrata nuk ekzekutohet, ajo do të quhet patjetër e zgjidhur.

  • Neni 701
  • Në qoftë se afati i caktuar për kryerjen e detyrimit të njërës nga palët duhet quajtur thelbësor për interesin e palës tjetër, kjo e fundit kur dëshiron të kërkojë zbatimin pavarësisht nga mbarimi i afatit, duhet t’i bëjë njoftimin palës tjetër brenda tri ditëve, përveç marrëveshjes së kundërt.

  • Neni 702
  • Palët mund të parashikojnë në kontratë që ajo të zgjidhet kur një detyrim i caktuar nuk përmbushet sipas kushteve të parashikuara.
    Në këtë rast kontrata zgjidhet kur pala e interesuar i deklaron palës tjetër se do të përdorë kushtin e zgjidhjes së kontratës.

  • Neni 703
  • Zgjidhja e kontratës për mospërmbushje të detyrimeve ka efekt prapaveprues midis palëve, përveç kontratave me ekzekutim të vazhduar ose periodik për të cilat efekti i zgjidhjes nuk shtrihet në veprimet e kryera më parë.
    Zgjidhja e kontratës, qoftë edhe me marrëveshje të palëve, nuk paragjykon të drejtat e fituara nga të tretët, me përjashtim të efekteve të regjistrimit të kërkesës për zgjidhjen e kontratës.

  • Neni 704
  • Për zgjidhjen e kontratës zbatohen edhe dispozitat e pjesës së përgjithëshme të detyrimeve përveç dispozitave që rregullojnë kontratat e veçanta.