strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU III - DHURIMI

  • Neni 761
  • Dhurimi është një kontratë me anë të së cilës njëra palë i kalon në pronësi pa shpërblim palës tjetër një send të caktuar ose një të drejtë reale të cilat ajo i pranon.
    Nuk përbën dhurim heqja dorë nga një e drejtë para se të fitohet ajo, ose heqja dorë nga trashëgimi.

  • Neni 762
  • Dhurimi nuk mund të përmbajë veçse pasurinë e tashme të dhuruesit. Në qoftë se përfshin pasurinë e ardhshme, dhurimi është i pavlefshëm përsa i takon kësaj.

  • Neni 763
  • Dhurimi, që ka për objekt detyrimet periodike, shuhet me vdekjen e dhuruesit, përveç rasteve kur në kontratë është parashikuar ndryshe.

  • Neni 764
  • Dhurimi i sendeve të paluajtshme duhet të bëhet me akt publik dhe të regjistrohet, përndryshe është i pavlefshëm.
    Pranimi mund të bëhet me po atë akt, ose me akt të mëvonshëm.
    Në këtë rast dhurimi quhet i përfunduar nga momenti kur akti i pranimit i është njoftuar dhuruesit.
    Në qoftë se ka për objekt sende të luajtshme, ai është i vlefshëm kur ato specifikohen duke treguar edhe vleftën e tyre në kontratën e dhurimit.
    Kontrata quhet e lidhur nga çasti i dorëzimit të sendit.
    Përpara se kontrata të jetë lidhur, dhuruesi ose pranuesi i dhurimit mund të revokojnë deklaratën e tyre.

  • Neni 765
  • Dhurimi mund të kundërshtohet për lajthitje të shkakut, kur ky lidhet me faktin ose me të drejtën, po qe se shkaku rrjedh nga akti dhe ka shtyrë dhuruesin të bëjë dhurimin.

  • Neni 766
  • Dhuruesi për mospërmbushjen ose vonesën në dhurim, është përgjegjës vetëm për qëndrime të kryera me dashje ose me pakujdesi të rëndë.

  • Neni 767
  • Dhuruesi mund të vërë si kusht kthimin e sendeve të dhuruara, si për shkak të vdekjes së përparshme të pranuesit të dhurimit, ashtu edhe të vdekjes së përparshme të pasardhësve të tij.
    Kthimi mund të ndodhë vetëm në favor të dhuruesit.
    Marrëveshja në favor të të tjerëve konsiderohet si e palidhur.

  • Neni 768
  • Dhurimi mund të rëndohet me kusht ose me barrë. Dhuruesi është i detyruar të përmbushë barrën brenda kufijve të vleftës së sendit të dhuruar.
    Për të përmbushur barrën mund të veprojë, përveç dhuruesit dhe çdokush i interesuar. Zgjidhja e kontratës së dhurimit për mospërmbushje të barrës mund të kërkohet nga dhuruesi ose trashëgimtarët e tij, në qoftë se është parashikuar në aktin e dhurimit.
    Barra e paligjshme ose e pamundur quhet e paqenë, ajo gjithsesi e bën të paqenë dhurimin në qoftë se ka përbërë të vetmin shkak përcaktues të kontratës.

  • Neni 769
  • Dhuruesi detyrohet t’i japë garanci pranuesit të dhurimit për përkatësinë e sendit të dhuruar dhe zhveshjen që mund të pësojë nga të tjerët për sendet e dhuruara, në këto raste:

    1. në qoftë se ka premtuar shprehimisht garancinë;

    2. në qoftë se marrja e sendit varet nga mashtrimi e nga qëndrime personale të tij;

    3. në qoftë se dhurimi i ngarkon barrë pranuesit të dhurimit ose dhurimi është për shkak shpërblimi, raste në të cilat garancia vihet deri në vleftën e barrës ose të tërësisë së premtimeve të marra nga dhuruesi.

  • Neni 770
  • Garancia e dhuruesit nuk shtrihet në të metat e asaj çka është dhuruar, përveç kur dhuruesi ka vepruar me mashtrim, si dhe kur ka marrëveshje të posaçme.

  • Neni 771
  • Dhuruesi, për dhurimet që nuk janë të zakonshme ose që nuk janë bërë për shpërblim, mund të kërkojë revokimin e dhurimit kur ai që ka marrë dhurimin:
    a) me dashje ka vrarë ose ka tentuar të vrasë dhuruesin, bashkëshortin ose fëmijët, ose prindërit e tij;
    b) pa të drejtë nuk i jep dhuruesit ushqim kur është i detyruar sipas ligjit.

    Padia për revokimin e dhurimit duhet të ngrihet brenda një viti nga dita që dhuruesi ka marrë njoftim për shkaqet që i japin të drejtë që të kërkojë revokimin e dhurimit.
    Padia e filluar mund të vazhdohet edhe nga trashëgimtarët e dhuruesit ose mund të ngrihet nga vetë këta, në rast se dhuruesi ka vdekur brenda vitit, nga dita që ka lindur shkaku për të ngritur padinë.
    Heqja dorë që më parë nga padia është e pavlefshme.
    Revokimi i dhurimit nuk cenon të drejtat që kanë fituar të tretët mbi sendin e dhuruar para se të ngrihet padia.