strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Zgjidhja e kontratës dhe pasojat juridike

  • Neni 868
  • Porositësi mund të tërhiqet nga kontrata, edhe kur ka filluar zbatimi i veprës ose kryerja e shërbimit, me kusht që ta kompensojë sipërmarrësin për shpenzimet e kryera, për punimet e bëra dhe për fitimin e munguar.

  • Neni 869
  • Kur kontrata zgjidhet sepse zbatimi i veprës është bërë i pamundur si pasojë i një shkaku që nuk mund t’i atribuohet asnjërës palë, porositësi paguan pjesën e veprës së kryer në kufijtë brenda të cilëve është e dobishme për të, në përpjesëtim me çmimin e caktuar për të gjithë veprën.

  • Neni 870
  • Kur materiali që i është dhënë sipërmarrësit nga porositësi, ose kur vepra e përgatitur me këtë material humbet ose dëmtohet, si dhe kur përfundimi i veprës bëhet i pamundshëm pa fajin e asnjërit prej tyre, por në çdo rast pasi sipërmarrësi të jetë në vonesë për dorëzimin e veprës, ky është i detyruar t’i shpërblejë porositësit vleftën e materialit dhe nuk ka të drejtë të kërkojë prej tij që t’i paguajë punën e kryer.

  • Neni 871
  • Kur vepra e përgatitur me material të sipërmarrësit humbet ose dëmtohet, si dhe kur përfundimi i saj bëhet i pamundshëm para se të ketë mbaruar afati për dorëzimin e veprës, por në çdo rast pa fajin e asnjërit prej tyre, sipërmarrësi nuk ka të drejtë t’i kërkojë porositësit që t’i paguajë vleftën e materialit dhe punën e kryer.

  • Neni 872
  • Kur vepra e përgatitur me material të sipërmarrësit humbet ose dëmtohet, si dhe kur përfundimi i saj bëhet i pamundshëm pa fajin e sipërmarrësit ose të porositësit, por pasi porositësi është në vonesë për marrjen e veprës në dorëzim, ky detyrohet t’i paguajë sipërmarrësit vleftën e materialit dhe punën e kryer.

  • Neni 873
  • Kontrata e sipërmarrjes nuk zgjidhet me vdekjen e sipërmarrësit, përveç kur personi i sipërmarrësit konsiderohej i domosdoshëm për kryerjen e veprës. Porositësi mundet gjithmonë të tërhiqet nga kontrata, po qe se trashëgimtarëve të sipërmarrësit, nuk mund t’u besohet për kryerjen e mirë të veprës ose të shërbimit.

  • Neni 874
  • Në rastin e zgjidhjes së kontratës për shkak të vdekjes së sipërmarrësit, porositësi detyrohet t’u paguajë trashëgimtarëve vleftën e veprës së kryer, duke u mbështetur në çmimin e caktuar, si dhe shpenzimet e kryera për ekzekutimin e pjesës së mbetur, por vetëm brenda kufijve në të cilët vepra e kryer dhe shpenzimet e bëra janë të dobishme për të. Porositësi ka të drejtë të kërkojë dorëzimin, kundrejt një kompensimi të përshtatshëm, të vleftës së materialeve të përgatitura dhe planeve në zbatim e sipër, për aq sa lejojnë normat për mbrojtjen e shpikjeve dhe të pronësisë intelektuale.

  • Neni 875
  • Personat të cilët, duke qënë në varësi të sipërmarrësit, kanë ushtruar veprimtarinë e tyre për zbatimin e veprës ose kryerjen e shërbimit, mund të ngrejnë padi drejtpërdrejt kundër porositësit për të marrë atë çka u takon deri në plotësimin e detyrës që porositësi ka ndaj sipërmarrësit në kohën kur ata ngrejnë padinë.

  • Neni 876 - Dispozitë referuese
  • Kur sipërmarrja ka për objekt kryerje shërbimesh të vazhdueshme ose periodike, zbatohen, për aq sa janë të pajtueshme, normat e këtij titulli dhe ato lidhur me kontratën e furnizimit.