Përgjegjësia për humbjen ose dëmtimin e sendeve gjatë transportimit

  • Neni 889
  • Transportuesi është përgjegjës për humbjen dhe dëmtimin e sendeve të dorëzuara atij qysh nga momenti kur i merr, deri në momentin kur ia dorëzon pritësit, po qe se nuk provon që humbja ose dëmtimi janë pasojë e rastit fator, e veprimit të dërguesit, të pritësit ose të pronarit të sendeve të dërguara, nga firot ose nga lloji e nga veset e vetë sendeve.
    Në qoftë se transportuesi i pranon sendet për transportim pa rezervë, prezumohet se sendet nuk paraqesin të meta të dukshme ambalazhi.
    Transportuesi, me kërkesën e pritësit, detyrohet të mbajë procesverbal për humbjen ose dëmtimin e sendeve të dorëzuara për transportim.

  • Neni 890
  • Transportuesi duhet të njoftojë pritësin pa vonesë dhe përpara dorëzimit të sendeve, për dëmet që sendet mund të kenë pësuar.

  • Neni 891
  • Në qoftë se sendet kanë humbur ose janë dëmtuar, dëmi llogaritet, përveç marrëveshjes së kundërt, sipas çmimit të tyre në kohën e ngarkimit nga ana e transportuesit. Po qe se sendet dëmtohen, transportuesi duhet të shpërblejë dëmin në masën e diferencës midis vleftës së sendeve në momentin e ngarkimit dhe vleftës në momentin e dorëzimit.

  • Neni 892
  • Pritësi ka të drejtë të sigurohet, me shpenzimet e veta, përpara marrjes në dorëzim, për identitetin dhe gjendjen e sendeve të transportuara.

  • Neni 893
  • Marrja në dorëzim pa rezervë e sendeve të transportuara duke paguar transportuesin për aq sa i takon, heq mundësinë për ngritje të padisë që rrjedh nga kontrata, përveç rastit të mashtrimit ose të pakujdesisë së rëndë të transportuesit. Nuk cenohen të drejtat për të kërkuar humbjen e pjesshme ose për dëmtime të tilla që nuk mund të dallohen në momentin e marrjes në dorëzim, me kusht që transportuesi të njoftohet menjëherë sa të zbulohet dëmi dhe jo më vonë se 20 ditë nga data e marrjes në dorëzim.

  • Neni 894
  • Kur transportuesi detyrohet t’i përcjellë sendet e transportuara përtej linjave të tij, nëpërmjet transportuesish të tjerë, pa marrë nga dorëzuesi një fletë shoqërimi të drejtpërdrejtë për në vendin e destinimit, prezumohet që ai merr, për transportin përtej linjave të veta, detyrimet e një spedicioneri.