Të drejta e detyrime të palëve

  • Neni 936
  • Porositësi është i detyruar t’i paguajë komisionerit të gjitha shpenzimet që ka bërë për kryerjen e porosisë dhe shpërblimin që parashikohet në kontratën e komisionit, si dhe ta shkarkojë nga çdo detyrim që komisioneri ka marrë ndaj të tjerëve për kryerjen e komisionit.

  • Neni 937
  • Komisioneri prezumohet se është i autorizuar që të lejojë vonesa në pagim, në përputhje me zakonin e vendit ku kryen veprimin, në qoftë se kur porositësi nuk ka vendosur ndryshe.
    Në qoftë se i porosituri lejon vonesa në pagim, pavarësisht nga ndalimi i porositësit ose nga zakoni i vendit, porositësi mund të kërkojë nga ai pagimin e menjëhershëm, përveç të drejtës së komisionerit për të përfituar avantazhet e ardhura nga vonesa në pagim.
    Komisioneri që ka lejuar vonesën në pagim duhet t’i tregojë porositësit se cila ishte pala e kontraktuar dhe afati i dhënë, përndryshe veprimi quhet se është kryer pa u lejuar vonesë dhe zbatohet paragrafi i mësipërm.

  • Neni 938
  • Komisioneri nuk përgjigjet për ekzekutimin nga ana e personit të tretë të kontratës së lidhur nga komisioneri me të, për llogari të porositësit, përveç kur në kontratën e komisionit parashikohet ndryshe.

  • Neni 939
  • Kur komisioneri ka kryer veprimin juridik në kushte më të dobishme nga ato të udhëzimeve që i kishte dhënë porositësi, gjithçka që komisioneri ka fituar në këtë rast kalon në dobi të porositësit.

  • Neni 940
  • Komisioneri ka të drejtë të largohet nga udhëzimet që i ka dhënë porositësi vetëm kur, për shkak të ndryshimit të rrethanave, një largim i tillë bëhet i nevojshëm për interesat e porositësit, dhe komisioneri nuk mund të merret vesh më parë me porositësin ose, kur, megjithëse e ka pyetur, nuk ka marrë përgjigje në kohën e duhur.

  • Neni 941
  • Komisioneri është i detyruar të lidhë kontratë sigurimi për sendet e porositësit që ndodhen pranë tij, vetëm po të jetë parashikuar në kontratën e komisionit, ose po të jetë sigurimi i detyrueshëm në bazë të ligjit.

  • Neni 942
  • Porositësi mund të ndryshojë rradhën e përfundimit të marrëveshjes sa kohë që komisioneri nuk e ka përfunduar. Në këtë rast i takon komisionerit një pjesë e shpërblimit për ndërmjetësim që përcaktohet duke u mbajtur parasysh shpenzimet e kryera dhe puna e bërë.

  • Neni 943
  • Në komisionin për shitjen dhe blerjen e mallrave, titujve, valutave dhe vlerave të tjera që kanë një çmim liste ose një çmim të caktuar nga organet shtetërore, po qe se porositësi nuk ka vendosur ndryshe, komisioneri mund të përfshijë në të njëjtin çmim, të fiksuar në momentin e ekzekutimit të porosisë, sendet që duhet të blejë, ose të blejë për vetë sendet që duhet të shesë, duke ruajtur të drejtën për shpërblimin për ndërmjetësim.