A. Depozita në magazinat e përgjithshme

  • Neni 1000
  • Magazinat (depot) e përgjithshme që veprojnë si depozitare janë përgjegjëse për ruajtjen e sendeve të depozituara, përveç kur provohet se dëmi ka ardhur nga rasti fator, nga natyra e sendeve ose nga defekte të sendeve ose të ambalazhit.
    Depozitari duhet në çdo rast të ushtrojë veprimtaritë e nevojshme për të kufizuar dëmin.

  • Neni 1001
  • Magazinat depozitare duhet të ruajnë sendet e depozituara veçmas njëra nga tjetra, gjithashtu duhet t’i pajisin me shenja dalluese që të tregojnë përkatësinë e sendit ndaj depozituesit.
    Përveç pëlqimit të shprehur të depozituesit, ata nuk mund të përziejnë midis tyre sende të barasndërrueshme të të njëjtit lloj e cilësi.
    Depozituesi ka të drejtë të inspektojë sendet e depozituara dhe të tërheqë kampionet e përdorimit.

  • Neni 1002
  • Kur depot e përgjithshme kanë lëshuar një titull përfaqësimi të sendeve të depozituara, depozitari duhet t’ia kthejë sendet vetëm kreditorit që është legjitimuar nga titulli.

  • Neni 1003
  • Depot e përgjithshme pasi njoftojnë depozituesin, mund të fillojnë shitjen me çmim më të lartë të sendeve kur, në mbarim të kontratës sendet nuk janë tërhequr, ose depozita nuk është përtërirë, dhe në çdo rast, kur sendet rrezikohen të humbasin ose përbëjnë një rrezik të madh për sigurinë e vendeve ku janë depozituar.
    Të ardhurat nga shitja, pasi zbritet kostoja dhe shpenzimet e mbetura të depozitës, duhet t’i dorëzohen depozituesit pa vonesë.