strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Të drejta e detyrime të palëve

  • Neni 985
  • Depozitari duhet të ruajë sendin me kujdes. Ai nuk mund ta përdorë atë vetë dhe as t’ua japë në depozitë të tjerëve, pa pëlqimin e depozituesit. Në qoftë se sendin e përdor pa pëlqimin e depozituesit, depozitari është përgjegjës për humbjen ose dëmtimin e tij deri në shkakun fator.
    Po ta kërkojnë rrethanat e ngutshme, depozitari mund të ushtrojë ruajtjen në një mënyrë të ndryshme nga marrëveshja, duke njoftuar depozituesin menjëherë sapo të jetë krijuar mundësia.

  • Neni 986
  • Depozitari është i detyruar të kthejë sendin e lënë depozitë në çdo kohë që e kërkon depozituesi edhe sikur të jetë caktuar një afat për kthimin e tij, përveç kur afati është caktuar në interes të depozitarit.
    Kthimi i sendit të lënë depozitë bëhet në vendin ku sendi duhej të ruhej, përveç përmbushjes së palëve kthimi bëhet me shpenzimet e depozituesit.

  • Neni 987
  • Në qoftë se depozita është pa shpërblim, gjykata mund të ulë masën e shpërblimit të dëmit.

  • Neni 988
  • Depozituesi është i detyruar t’i paguajë depozitarit shpenzimet e bëra për ruajtjen e sendit, në qoftë se nuk janë përfshirë në shpërblim.

  • Neni 989
  • Kur nuk është caktuar një afat për kthimin e sendit të lënë depozitë, depozitari ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë që të shkarkohet nga detyrimi i tij për ruajtjen e sendit, duke lajmëruar depozituesin që të marrë prapë sendin brenda një afati të mjaftueshëm që i cakton vetë.

  • Neni 990
  • Depozituesi është i detyruar të shpërblejë dëmin që i është shkaktuar depozitarit nga të metat e fshehta të sendit, në qoftë se, duke i ditur këto, nuk ia ka njoftuar depozitarit.

  • Neni 991
  • Kur depozituesit e një sendi janë më shumë se një dhe ata nuk merren vesh lidhur me kthimin e tij, vendos gjykata.
    Kështu veprohet edhe kur një depozitues i vetëm ka lënë disa trashëgimtarë, po qe se sendi nuk është i ndashëm.
    Kur depozitëmarrësit janë më shumë se një, depozituesi ka të drejtë të kërkojë kthimin nga personi që mban sendin, i cili duhet të njoftojë menjëherë të tjerët.

  • Neni 992
  • Në qoftë se sendi është depozituar edhe në interes të një të treti dhe ky i fundit u ka njoftuar depozituesit dhe depozitëmarrësit pranimin e tij, depozitëmarrësi nuk mund të shkarkohet duke ia kthyer sendin depozituesit, pa miratimin e të tretit.

  • Neni 993
  • Depozitëmarrësi është i detyruar të kthejë frytet e sendit të cilat ai i ka vjelë.

  • Neni 994
  • Trashëgimtari i depozitëmarrësit që ka tjetërsuar sendin në mirëbesim, duke mos ditur se mbahej në depozitë, detyrohet vetëm të kthejë shpërblimin e marrë.
    Në qoftë se ky nuk është paguar ende, depozituesi merr të drejtat e tjetërsuesit.

  • Neni 995
  • Depozitëmarrësi duhet t’i kthejë sendin depozituesit ose personit të caktuar për ta marrë, pa qenë nevoja që depozituesi të provojë se është pronar.
    Në qoftë se depozitëmarrësi paditet nga një person që rivendikon pronësinë e sendit ose pretendon se ka të drejta mbi të, depozitëmarrësi duhet të denoncojë mosmarrëveshjen tek depozituesi dhe të kërkojë të përjashtohet nga gjykimi duke treguar vetë personin, përndryshe duhet të shpërblejë dëmet. Në këtë rast ai mund të shkarkohet nga detyrimi për të kthyer sendin, duke e depozituar atë sipas mënyrave të caktuara nga gjykata, me shpenzimet e depozituesit.

  • Neni 996
  • Në qoftë se ruajtja e sendit i hiqet depozitarit si rrjedhim i një fakti për të cilin ai nuk është fajtor, ai shkarkohet nga detyrimi për të kthyer sendin, por duhet t’i njoftojë menjëherë depozitarit faktin për të cilin ka humbur mbajtjen e sendit, përndryshe ngarkohet me shpërblimin e dëmit.
    Depozituesi ka të drejtë të marrë atë që, si pasojë e vetë faktit, depozitari ka siguruar dhe merr të drejtat që i takojnë këtij të fundit.

  • Neni 997
  • Kreditë që rrjedhin nga depozita në dobi të depozitarit kanë privilegj mbi sendin e dhënë në depozitë. Depozitari mund të mbajë sendin që është në privilegj derisa të shpërblehet për kredinë e tij dhe mundet edhe ta shesë sipas dispozitave për pengun.

  • Neni 998
  • Kur sendi i lënë depozitë nuk është tërhequr në afatin e caktuar në kontratë ose pas lajmërimit që i ka bërë depozitari, ky nuk përgjigjet për humbjen ose dëmtimin e sendit që ngjan pas kalimit të afatit, përveç kur humbja ose dëmtimi është shkaktuar me dashje ose nga pakujdesia e rëndë e tij.
    Në rastet e sipërme, depozitari ka të drejtë të kërkojë nga gjykata që të lejojë shitjen e sendit të lënë në depozitë sipas rregullave të ekzekutimit të detyrueshëm.
    Shumat e nxjerra nga shitja e sendit, pasi të zbriten shumat që ka për të marrë depozitari, i jepen depozituesit ose depozitohen në bankë në emër të tij.