strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU XVII - LLOGARIA RRJEDHËSE

  • Neni 1013
  • Llogaria rrjedhëse është një kontratë me të cilën palët detyrohen të regjistrojnë në një llogari kreditimet reciproke, duke e konsideruar të padisponueshme dhe të pakthyeshme deri në mbylljen e llogarisë.
    Teprica e llogarisë është e kthyeshme me mbarimin e afatit. Në qoftë se nuk është kërkuar pagimi, teprica konsiderohet e rinovuar për një kohë të pacaktuar.

  • Neni 1014
  • Përjashtohen nga llogaria rrjedhëse, kreditë që nuk mund të kompensohen. Kur kontrata vepron ndërmjet sipërmarrësve, përjashtohen nga llogaria kreditë e huaja për ndërmarrjet përkatëse.

  • Neni 1015
  • Mbi gjendjen përfitohet kamata në masën e vendosur në kontratë dhe në mungesë të këtyre nga ligji, por gjithnjë brenda kufijve të caktuara prej tij.

  • Neni 1016
  • Për llogarinë rrjedhëse paguhet komisioni si dhe shpenzimet që janë dashur për veprimet që kanë lidhje me derdhjet. Këto të drejta nuk bëjnë pjesë në llogari, përveç kur në marrëveshje parashikohet ndryshe.

  • Neni 1017
  • Përfshirja e një kredie në llogarinë rrjedhëse, nuk përjashton ushtrimin e të drejtës së padisë dhe e të drejtave të tjera, lidhur me aktin nga i cili rrjedh kredia.
    Kur akti i mësipërm është i pavlefshëm, ose shpallet si i tillë, ose i zgjidhur, pjesa përkatëse e parave përjashtohet nga llogaria rrjedhëse.

  • Neni 1018
  • Kur kredia e përfshirë në llogari është e siguruar me një garanci reale ose personale, klienti ka të drejtë të përdorë këtë garanci për tepricën ekzistuese në favor të tij nga mbyllja e llogarisë e deri në arkëtimin e kredisë së garantuar.
    Paragrafi i mësipërm zbatohet edhe në qoftë se për kredinë ekziston një bashkëdetyrim solidar.

  • Neni 1019
  • Përveç kur palët kanë parashikuar ndryshe në kontratë, përfshirja në llogarinë rrjedhëse e një kredie ndaj një të treti, prezumohet si e bërë me kushtin që të paguhet. Në rastin kur kredia nuk përmbushet, marrësi ka të drejtën të veprojë për mbledhjen, marrjen e shumës së parave nga llogaria, duke riintegruar atë që ka bërë derdhjen. Mund të merret kjo shumë parash nga llogaria edhe pasi ushtron pa rezultat të drejtat e tij kundrejt debitorit.

  • Neni 1020
  • Në rast se kreditori i një klienti ka sekuestruar mbetjen eventuale të llogarisë që i takon debitorit të tij, klienti tjetër nuk mundet, me derdhje të reja të cenojë të drejtat e kreditorit. Nuk konsiderohen si derdhje të reja ato që janë bërë në vartësi nga të drejtat e rrjedhura para sekuestrimit.
    Klienti ndaj të cilit është bërë sekuestrimi ose është vënë pengu duhet të njoftojë anën tjetër. Secili prej tyre mund të tërhiqet nga kontrata.

  • Neni 1021
  • Mbyllja e llogarisë me likudimin e tepricës bëhet me mbarimin e afateve të përcaktuara në kontratë dhe në mungesë të tyre, në përfundim të çdo 6/mujori të llogaritur që nga data e lidhjes së kontratës.

  • Neni 1022
  • Kalimi i veprimeve në llogari nga një klient në një tjetër nënkuptohet i pranuar në qoftë se nuk është kundërshtuar në afatin e caktuar prej palëve ose në afatin që mund të konsiderohet i përshtatshëm sipas rrethanave.
    Pranimi i veprimit nuk përfshin të drejtën për ta kundërshtuar për gabime shkrimi ose llogaritjeje, për mosveprim ose dublime.
    Kundërshtimi duhet të bëhet brenda 6 muajve nga data e kalimit të llogarisë, lidhur me likuidimin e mbylljen, e cila duhet të dërgohet rekomande. Rivendosje në afat nuk lejohet.

  • Neni 1023
  • Kur kontrata është lidhur për një kohë të pacaktuar, secila prej palëve mund të tërhiqet nga kontrata në çdo mbyllje të llogarisë, duke njoftuar të paktën 10 ditë përpara.
    Në rastin e një ndalimi të ushtrimit të këtij aktiviteti, të paaftësisë për të vepruar, të paaftësisë paguese ose vdekjes së njërës prej palëve, secila prej tyre, ose trashëgimtarët e tyre, kanë të drejtën të tërhiqen nga kontrata.
    Zgjidhja e kontratës ndalon përfshirjen në llogari të shumave të reja, por pagimi i mbetjes nuk mund të kërkohet vetëm pas skadimit të periudhës së përcaktuar në nenin 1021.