A. Depozitat bankare

  • Neni 1024
  • Kur depozitohet një shumë parash pranë një banke, kjo fiton pronësinë dhe është e detyruar t’i kthejë në të njëjtën lloj monedhe, me skadimin e afatit të përcaktuar ose me kërkesën e depozituesit, duke patur parasysh periudhën e lajmërimit të përcaktuar nga palët ose nga zakoni bankar.

  • Neni 1025
  • Në rast se banka lëshon një librezë depozite kursimi, derdhjet dhe tërheqjet duhet të shënohen në librezë.
    Shënimet mbi librezë të firmosura nga nëpunësi i bankës, që është i caktuar për këtë shërbim, përbëjnë provë të plotë midis bankës dhe depozituesit.
    Është e pavlefshme çdo marrëveshje e kundërt.

  • Neni 1026
  • Në qoftë se libreza e kursimit është e pagueshme tek prurësi, banka që padashje dhe pa faj të rëndë kryen shërbimin përballë poseduesit, nuk përgjigjet edhe në qoftë se ky nuk është depozituesi.
    E njëjta dispozitë zbatohet në rastin kur libreza e depozitës e pagueshme tek prurësi të jetë lëshuar në emër të një personi të caktuar.
    Janë të përjashtuara dispozitat e ligjeve të veçanta.

  • Neni 1027
  • Banka që merr dhe pranon depozitat e titujve në administrim duhet t’i ruajë titujt duke marrë interesat ose dividentet, të verifikojë tregtimin për çmimin ose për ripagimin e kapitalit, duke treguar kujdes për grumbullimin e të ardhurave për llogarinë e depozituesit, dhe në përgjithësi të kujdeset për mbrojtjen e të drejtave që kanë të bëjnë me titullin. Shumat e grumbulluara duhet të jenë të kredituara në llogarinë e depozituesit.
    Në qoftë se për titujt e depozituar duhet të ushtrohet një e drejtë zgjedhjeje, banka duhet të kërkojë në kohë udhëzimet e nevojshme nga depozituesit dhe t’i realizojë ato, në qoftë se në rast nevoje ka marrë fonde të nevojshme. Në mungesë të këtyre udhëzimeve, të drejtat e zgjedhjeve duhet të shiten për llogari të depozituesit nëpërmjet agjentëve të këmbimit.
    Bankës i takon një kompensim në masën e përcaktuar nga marrëveshja e palëve ose ajo që përdoret zakonisht, përveç pagimit të shpenzimeve të bëra prej saj.
    Është e pavlefshme çdo marrëveshje me të cilën përjashtohet banka nga ruajtja dhe administrimi i titujve me një kujdesje të zakonshme.