strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

Zgjidhja e marrëdhënies së një anëtari me shoqërinë

  • Neni 1106
  • Çdo anëtar mund të tërhiqet nga shoqëria kur ajo është formuar për një kohë të pacaktuar ose për gjithë jetën e njërit prej anëtarëve.
    Veç kësaj mund të tërhiqet në rastet e parashikuara në kontratën e shoqërisë ose kur ekziston një shkak i drejtë.
    Në rastet e parashikuara në paragrafin e parë, tërheqja duhet t’u komunikohet anëtarëve të tjerë të paktën tre muaj përpara.

  • Neni 1107
  • Përveç kur në kontratën e shoqërisë është parashikuar ndryshe, në rast vdekjeje të njërit prej anëtarëve, të tjerët duhet të likuidojnë kuotën në favor të trashëgimtarëve, veç kur preferojnë të shpërndajnë shoqërinë ose ta vazhdojnë më vete trashëgimtarët, dhe këta japin pëlqimin.

  • Neni 1108
  • Përjashtimi i një anëtari mund të ndodhë për shkak mospërmbushjeje të rëndësishme të detyrimeve që rrjedhin nga ligji ose nga kontrata e shoqërisë, si dhe për ndalimin, pazotësinë ose për dënimin e tij me një masë që përfshin edhe ndalimin, qoftë edhe të përkohshëm, nga detyrat zyrtare.
    Anëtari që ka dhënë si kontribut në shoqëri veprën e vet ose gëzimin e një sendi, mundet gjithashtu të përjashtohet për shkak të papërshtatshmërisë së menjëhershme për të kryer veprën e dhënë ose për humbjen e sendit, që ka ndodhur për shkaqe që nuk mund t’u ngarkohen administratorëve.
    Gjithashtu, mund të përjashtohet anëtari që ka kontribuar me anë të transferimit të pronësisë së një sendi, në qoftë se ky humbet përpara se sendi të fitohet nga shoqëria.

  • Neni 1109
  • Përjashtimi vendoset nga shumica e anëtarëve, duke mos përfshirë në numrin e tyre anëtarin për t’u përjashtuar dhe ka efekt pas 30 ditëve nga data kur i është bërë njoftimi anëtarit të përjashtuar.
    Brenda këtij afati ortaku i përjashtuar mund të paraqesë kundërshtim përpara gjykatës, e cila mund të pezullojë zbatimin e vendimit.
    Po qe se shoqëria përbëhet nga dy anëtarë, përjashtimi i njërit bëhet nga gjykata me kërkesën e tjetrit.

  • Neni 1110
  • Përjashtohen nga shoqëria edhe:
    a) anëtari që është deklaruar i falimentuar;
    b) anëtari ndaj të cilit një kreditor i tij i caktuar ka arritur të ketë të drejtën e likuidimit të kuotës sipas nenit 1092 të këtij Kodi.

    Përjashtimi i parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni nuk zbatohet në rastet kur falimentimi i anëtarit është pasojë e falimentimit të shoqërisë.

  • Neni 1111
  • Në rastin kur nga shoqëria largohet vetëm një anëtar, ky dhe trashëgimtarët e tij kanë të drejtë vetëm për një shumë të hollash që përfaqësojnë vlerën e kuotës.
    Likuidimi i kuotës bëhet në bazë të gjendjes pasurore të shoqërisë ditën kur ndodh largimi i anëtarit.
    Në qoftë se ka aktivitete në vazhdim, anëtari dhe trashëgimtarët e tij kanë pjesë në fitimet dhe humbjet që kanë të bëjnë me këto aktivitete. Përveç sa parashikohet në nenin 1092, pagimi kuotës që i takon ortakut duhet bërë brenda 6 muajve nga dita e largimit të tij.

  • Neni 1112
  • Në rastin kur nga shoqëria largohet vetëm një anëtar, ky ose trashëgimtarët e tij janë përgjegjës ndaj të tretëve për detyrimet e shoqërisë deri në ditën kur ai është larguar.
    Largimi duhet t’u bëhet i ditur të tretëve me mjete të përshtatshme, përndryshe, ajo nuk mund t’u kundrejtohet të tretëve që, jo për fajin e tyre, nuk e kanë ditur.