KREU I - Ligji penal dhe zbatimi i tij

  • Neni 1 - Ligji penal dhe ndarja e veprave penale
  • Ligji penal përcakton veprat penale, dënimet dhe masat e tjera që merren ndaj autorëve të tyre.
    Veprat penale ndahen në krime dhe në kundërvajtje penale. Dallimi i tyre bëhet në çdo rast në dispozitat e pjesës së posaçme të këtij Kodi.

  • Neni 1/a - Bazat e legjislacionit penal
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 1)

    Kodi Penal bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet e përgjithshme të së drejtës penale ndërkombëtare, si dhe në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar.
    Legjislacioni penal përbëhet nga ky Kod dhe ligje të tjera që parashikojnë vepra penale.

  • Neni 1/b - Detyrat e legjislacionit penal
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 1)

    Legjislacioni penal i Republikës së Shqipërisë ka për detyrë të mbrojë pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e territorit të tij, dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, rendin kushtetues, pronën, mjedisin, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin e shqiptarëve me pakicat kombëtare, si dhe bashkëjetesën fetare nga veprat penale, si dhe parandalimin e tyre.

  • Neni 1/c - Parimet e Kodit Penal
  • (Shtuar me ligjin 8733, datë 24.1.2001, neni 1)

    Kodi Penal bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe të humanizmit.
    Zbatimi i ligjit penal me analogji nuk lejohet.

  • Neni 2 - Mosdënimi pa ligj
  • Askush nuk mund të dënohet penalisht për një vepër që më parë nuk është e parashikuar shprehimisht në ligj si krim ose kundërvajtje penale.
    Askush nuk mund të dënohet me një lloj dhe masë dënimi të paparashikuar në ligj.

  • Neni 3 - Veprimi në kohë i ligjit penal
  • Askush nuk mund të dënohet për një vepër që, sipas ligjit të kohës kur është kryer, nuk përbënte vepër penale.
    Ligji i ri që nuk dënon veprën penale ka fuqi prapavepruese. Në rast se personi është dënuar, ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, pushon.
    Kur ligji i kohës kur është kryer vepra penale dhe ligji i mëvonshëm janë të ndryshëm, zbatohet ai ligj dispozitat e të cilit janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale.
    __________________________________________________
    Vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.4, datë 27.3.2003

    Nisur nga fakti që ligjvënësi shqiptar në një dispozitë të vetme, sikurse është ajo e nenit 3 të Kodit Penal, ka përcaktuar veprimin e ligjit penal në kohë, jo vetëm në përgjithësi, sipas parimit që askush nuk mund të dënohet për një vepër që sipas ligjit të kohës kur është kryer, nuk përbënte vepër penale, por edhe duke dhënë përjashtimet nga ky parim, Kolegjet e Bashkuara çmojnë se lidhje me çështjen objekt shqyrtimi, ka përmbajtja e paragrafëve të dytë dhe të tretë të kësaj dispozite, në të cilat parashikohen përjashtimet nga rregulli i përgjithshëm i veprimit në kohë të ligjit penal dhe brenda tyre, lidhje më të drejtpërdrejtë me këtë çështje, pa dyshim, që ka paragrafi i tretë i saj.
    Nga përmbajtja e këtij paragafi, sipas të cilit, kur ligji i kohës kur është kryer vepra penale dhe ligji i mëvonshëm janë të ndryshëm, zbatohet ai ligj, dispozitat e të cilit janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale, arrihet në përfundimin se, në rastet kur, ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, është më i disfavorshëm se ligji që është në fuqi në kohën e gjykimit të çështjes penale në ngarkim të personit që e ka kryer atë, gjykatat detyrohen të zbatojnë këtë të dytin d.m.th. ligjin e mëvonshëm, i cili është në fuqi në kohën e gjykimit të çështjes.
    Ky detyrim rrjedh nga fakti që, në rastin konkret, ligji i mëvonshëm përmban dispozita, të cilat janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale ose, duke përdorur terminologjinë kushtetuese, duhet thënë se ligji i mëvonshëm është ligj penal favorizues dhe pikërisht për këtë arsye, ai ka fuqi prapavepruese.
    Megjithatë, duhet vënë në dukje fakti që fuqia prapavepruese e ligjit penal favorizues, në raport me momentin kohor të zbatimit të tij, nuk është e pakufizuar, pasi ky moment është i kushtëzuar nga faza në të cilën gjendet procedimi penal, që i përket personit të akuzuar për kryerjen e veprës penale, fazë e cila, duke u bazuar në sa u thanë me hollësi më lart, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, arrijnë në përfundimin se nuk mund të jetë tej momentit kohor kur vendimi i dënimit penal të personit të akuzuar, ka marrë formë të prerë, gjë që vlen edhe për personat e dënuar me vendim penal të formës së prerë të gjykatave të huaja penale, sikurse është rasti objekt gjykimi.
    Të gjitha çështjet e tjera, që mund të lindin pas këtij momenti, i përkasin një faze tjetër, asaj të ekzekutimit të vendimit penal. Dihet se ndryshe nga fuqia prapavepruese e ligjit penal, që përfshihet në institutin e veprimit penal në kohë, institut, i cili rregullimin e tij ligjor e gjen në normat e ligjit penal material, faza e ekzekutimit të vendimeve penale rregullohet nga normat e ligjit procedural penal, nocione këto që konfondohen në kërkesën e paraqitur nga mbrojtësi i kërkuesit Juan. Bazuar në sa u parashtrua me hollësi në pjesët e përparshme të këtij vendimi, Kolegjet e Bashkuara arrijnë në përfundimin e përgjithshëm se paragrafi i tretë i nenit 3 të Kodit Penal është i zbatueshëm në procedimet penale të vëna në lëvizje pas hyrjes në fuqi të ligjit favorizues, si dhe në procedimet penale, të cilat, megjithëse janë vënë në lëvizje para hyrjes në fuqi të ligjit favorizues, gjykimi për to nuk ka përfunduar ende me vendim të formës së prerë.
    Kështu që, personat, vendimi i dënimit penal për të cilët ka marrë formë të prerë, sikurse është rasti i kërkuesit Juan, nuk mund të përfitojnë nga ligji i mëvonshëm, edhe pse ai mund të jetë favorizues në raport me ligjin penal që u zbatua nga gjykatat në kohën e dënimit të tyre.
    I vetmi përjashtim nga ky rregull, në kushtet e zakonshme të zbatimit të Kodit Penal, bëhet vetëm për personat e dënuar me vendim të formës së prerë, kur ligji i ri, veprën për të cilën ata janë deklaruar fajtorë dhe dënuar, nuk e konsideron më vepër penale.
    Dhe këtë përjashtim e ka bërë vetë ligjvënësi në paragrafin e dytë të nenit 3 të Kodit Penal, sipas të cilit, ligji i ri që nuk dënon veprën penale ka fuqi prapavepruese dhe në rast se personi është dënuar, ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillojë dhe në qoftë se ka filluar, pushon.
    Thuhet, “në kushtet e zakonshme të zbatimit të Kodit Penal”, pasi ligjvënësi, mbas miratimit të ligjit nr.7895, datë 27.1.1995 “Për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë me dy ligje të veçanta, të miratuara ad`hoc me nr.7942 dhe 7984 të datave, respektivisht, 31.5.1995 dhe 28.7.1995, miratuar për hyrjen në fuqi të Kodit Penal, ka parashikuar shprehimisht që personave të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë për një ose më shumë vepra penale me masa dënimi, për një ose më shumë prej tyre, më të larta sesa maksimumi që parashikon për to Kodi i ri Penal, ju mbetet për secilën prej tyre, ky maksimum (nenet 2 dhe 1 të ligjeve respektive).
    Nëpërmjet këtyre dy ligjeve, kanë përfituar vetëm personat që ishin dënuar para hyrjes në fuqi të Kodit të ri Penal, d.m.th. me kodet e mëparshme penale dhe një gjë e tillë ishte jo vetëm e domosdoshme, por edhe e kuptueshme, për shkak të disa ndryshimeve jo pak të rëndësishme, që pësoi instituti juridik i përgjegjësisë penale dhe elemente përbërëse të tij në Kodin e ri Penal, në krahasim me të mëparshmet.
    __________________________________________________

  • Neni 4 - Mosnjohja e ligjit
  • Mosnjohja e ligjit që dënon veprën penale, nuk përbën shkak për përjashtim nga përgjegjësia penale, veç rasteve kur mosnjohja është objektivisht e paevitueshme.

  • Neni 5 - Territori i Republikës së Shqipërisë
  • Territori i Republikës së Shqipërisë, në kuptim të ligjit penal, quhet hapësira tokësore, gjerësia e ujërave territoriale dhe të brendshme detare, hapësira ajrore që shtrihet mbi hapësirën tokësore dhe të ujërave territoriale dhe të brendshme detare, si dhe çdo vend tjetër ku shtrihet sovraniteti i shtetit shqiptar, si selitë e përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare, anijet që mbajnë flamurin e Republikës së Shqipërisë, anijet e marinës luftarake, të aviacionit ushtarak ose civil kudo që ndodhen.

  • Neni 6 - Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera nga shtetas shqiptarë
  • Për vepra penale të kryera nga shtetas shqiptarë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë zbatohet ligji penal i Republikës së Shqipërisë.
    Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin shqiptar që kryen krim në territorin e një shteti tjetër, kur krimi është njëkohësisht i dënueshëm dhe derisa nuk është dhënë për të një vendim përfundimtar nga një gjykatë e huaj.
    Në kuptim të këtij neni shtetas shqiptarë do të konsiderohen edhe ata persona që përveç shtetësisë shqiptare gëzojnë edhe shtetësi tjetër.

  • Neni 7 - Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera nga shtetas të huaj
  • (Ndryshuar shkronja “d” me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 2);
    shtuar shkronja “h” me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 1;
    shtuar shkronja “i” me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 1;
    ndryshuar shkrona "c" me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 1;
    shtuar shkronja "j" me ligjin nr.10023, datë 27.11.2008 neni1)

    Shtetasi i huaj, që kryen vepër penale në territorin e Republikës së Shqipërisë, përgjigjet në bazë të ligjit penal të Republikës së Shqipërisë.
    Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin e huaj që jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë kryen në dëm të interesave të shtetit ose të shtetasit shqiptar një nga krimet e mëposhtme:
    a) krime kundër njerëzimit;
    b) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;
    c) vepra me qëllime terrroriste;
    d) organizimi i prostitucionit, trafikimi i jashtëligjshëm i njerëzve, fëmijëve dhe grave, prodhimi dhe trafikimi i jashtëligjshëm i armëve, drogës, substancave të tjera narkotike e psikotrope, i substancave bërthamore, i materialeve pornografike, si dhe trafikimi i jashtëligjshëm i veprave të artit dhe i objekteve me vlerë historike, kulturore dhe arkeologjike;
    e) rrëmbimi i avionëve dhe i anijeve;
    f) falsifikimi i vulës së shtetit shqiptar, parave dhe letrave me vlerë shqiptare;
    g) krime që cenojnë jetën dhe shëndetin e shtetasit shqiptar, për të cilat ligji parashikon dënim mbi pesë vjet burgim ose çdo lloj dënimi më të rëndë;
    h) pastrimi i produkteve të veprës penale;
    i) krimet e korrupsionit aktiv dhe pasiv, të kryera nga persona që ushtrojnë funksione në sektorin publik ose atë privat.
    j) vepra penale në fushën e teknologjisë së informacionit.

  • Neni 7/a - Juridiksioni universal
  • (Shtuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 2)

    Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin e huaj, që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk është ekstraduar, i cili jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ka kryer njërën nga veprat e mëposhtme:
    a) krime kundër njerëzimit;
    b) krime lufte;
    c) gjenocid;
    ç) vepra me qëllime terroriste;
    d) torturë.
    Ligji penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm edhe për shtetasin e huaj, që jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë kryen ndonjërën nga veprat penale, për të cilat ligje të veçanta ose marrëveshje ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë, përcaktojnë zbatueshmërinë e legjislacionit penal shqiptar.

  • Neni 8 - Zbatimi i ligjit penal për vepra penale të kryera nga personi pa shtetësi
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 3)

    Për personin pa shtetësi që kryen vepër penale në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe krim jashtë këtij territori, vlejnë rregullat e neneve 7 e 7/a të këtij Kodi.

  • Neni 9 - Përgjegjësia për personat e huaj që gëzojnë imunitet
  • Çështja e përgjegjësisë për shtetasit e huaj që kryejnë vepër penale në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që gëzojnë imunitet në bazë të së drejtës ndërkombëtare, zgjidhet me rrugë diplomatike.

  • Neni 10 - Fuqia e vendimeve penale të gjykatave të huaja
  • Vendimet penale të dhëna nga gjykatat e huaja ndaj shtetasve shqiptarë që vërtetojnë kryerjen e një vepre penale, kur nuk është parashikuar ndryshe nga marrëveshjet dy ose shumpalëshe, vlejnë në Shqipëri brenda kufijve të ligjit shqiptar edhe përsa vijon:
    a) për efekt të cilësimit përsëritës të personit që ka kryer veprën penale;
    b) për zbatimin e vendimeve që përmbajnë dënime plotësuese;
    c) për zbatimin e masave të sigurimit;
    d) për shlyerjen e dëmit ose efekteve të tjera civile.

  • Neni 11 - Ekstradimi
  • Ekstradimi mund të lejohet vetëm kur është parashikuar shprehimisht në marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
    Ekstradimi lejohet kur vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim është e parashikuar si e tillë njëkohësisht si nga ligji shqiptar dhe ai i huaj.
    Ekstradimi nuk lejohet:
    a) në qoftë se personi që do të ekstradohet është shtetas shqiptar, veç rasteve kur në marrëveshje është parashikuar ndryshe;
    b) në qoftë se vepra penale që përbën objektin e kërkesës për ekstradim ka një karakter politik ose ushtarak;
    c) kur ka arsye për të dyshuar që personi i kërkuar të ekstradohet do të persekutohet, dënohet ose kërkohet për arsye të bindjeve të tija politike, fetare, kombëtare, racore ose etnike.
    d) në qoftë se personi që kërkohet të ekstradohet është gjykuar nga një gjykatë kompetente shqiptare për veprën penale për të cilën kërkohet ekstradimi.