Neni 3 - Veprimi në kohë i ligjit penal

Askush nuk mund të dënohet për një vepër që, sipas ligjit të kohës kur është kryer, nuk përbënte vepër penale.
Ligji i ri që nuk dënon veprën penale ka fuqi prapavepruese. Në rast se personi është dënuar, ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, pushon.
Kur ligji i kohës kur është kryer vepra penale dhe ligji i mëvonshëm janë të ndryshëm, zbatohet ai ligj dispozitat e të cilit janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale.
__________________________________________________
Vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.4, datë 27.3.2003

Nisur nga fakti që ligjvënësi shqiptar në një dispozitë të vetme, sikurse është ajo e nenit 3 të Kodit Penal, ka përcaktuar veprimin e ligjit penal në kohë, jo vetëm në përgjithësi, sipas parimit që askush nuk mund të dënohet për një vepër që sipas ligjit të kohës kur është kryer, nuk përbënte vepër penale, por edhe duke dhënë përjashtimet nga ky parim, Kolegjet e Bashkuara çmojnë se lidhje me çështjen objekt shqyrtimi, ka përmbajtja e paragrafëve të dytë dhe të tretë të kësaj dispozite, në të cilat parashikohen përjashtimet nga rregulli i përgjithshëm i veprimit në kohë të ligjit penal dhe brenda tyre, lidhje më të drejtpërdrejtë me këtë çështje, pa dyshim, që ka paragrafi i tretë i saj.
Nga përmbajtja e këtij paragafi, sipas të cilit, kur ligji i kohës kur është kryer vepra penale dhe ligji i mëvonshëm janë të ndryshëm, zbatohet ai ligj, dispozitat e të cilit janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale, arrihet në përfundimin se, në rastet kur, ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, është më i disfavorshëm se ligji që është në fuqi në kohën e gjykimit të çështjes penale në ngarkim të personit që e ka kryer atë, gjykatat detyrohen të zbatojnë këtë të dytin d.m.th. ligjin e mëvonshëm, i cili është në fuqi në kohën e gjykimit të çështjes.
Ky detyrim rrjedh nga fakti që, në rastin konkret, ligji i mëvonshëm përmban dispozita, të cilat janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale ose, duke përdorur terminologjinë kushtetuese, duhet thënë se ligji i mëvonshëm është ligj penal favorizues dhe pikërisht për këtë arsye, ai ka fuqi prapavepruese.
Megjithatë, duhet vënë në dukje fakti që fuqia prapavepruese e ligjit penal favorizues, në raport me momentin kohor të zbatimit të tij, nuk është e pakufizuar, pasi ky moment është i kushtëzuar nga faza në të cilën gjendet procedimi penal, që i përket personit të akuzuar për kryerjen e veprës penale, fazë e cila, duke u bazuar në sa u thanë me hollësi më lart, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, arrijnë në përfundimin se nuk mund të jetë tej momentit kohor kur vendimi i dënimit penal të personit të akuzuar, ka marrë formë të prerë, gjë që vlen edhe për personat e dënuar me vendim penal të formës së prerë të gjykatave të huaja penale, sikurse është rasti objekt gjykimi.
Të gjitha çështjet e tjera, që mund të lindin pas këtij momenti, i përkasin një faze tjetër, asaj të ekzekutimit të vendimit penal. Dihet se ndryshe nga fuqia prapavepruese e ligjit penal, që përfshihet në institutin e veprimit penal në kohë, institut, i cili rregullimin e tij ligjor e gjen në normat e ligjit penal material, faza e ekzekutimit të vendimeve penale rregullohet nga normat e ligjit procedural penal, nocione këto që konfondohen në kërkesën e paraqitur nga mbrojtësi i kërkuesit Juan. Bazuar në sa u parashtrua me hollësi në pjesët e përparshme të këtij vendimi, Kolegjet e Bashkuara arrijnë në përfundimin e përgjithshëm se paragrafi i tretë i nenit 3 të Kodit Penal është i zbatueshëm në procedimet penale të vëna në lëvizje pas hyrjes në fuqi të ligjit favorizues, si dhe në procedimet penale, të cilat, megjithëse janë vënë në lëvizje para hyrjes në fuqi të ligjit favorizues, gjykimi për to nuk ka përfunduar ende me vendim të formës së prerë.
Kështu që, personat, vendimi i dënimit penal për të cilët ka marrë formë të prerë, sikurse është rasti i kërkuesit Juan, nuk mund të përfitojnë nga ligji i mëvonshëm, edhe pse ai mund të jetë favorizues në raport me ligjin penal që u zbatua nga gjykatat në kohën e dënimit të tyre.
I vetmi përjashtim nga ky rregull, në kushtet e zakonshme të zbatimit të Kodit Penal, bëhet vetëm për personat e dënuar me vendim të formës së prerë, kur ligji i ri, veprën për të cilën ata janë deklaruar fajtorë dhe dënuar, nuk e konsideron më vepër penale.
Dhe këtë përjashtim e ka bërë vetë ligjvënësi në paragrafin e dytë të nenit 3 të Kodit Penal, sipas të cilit, ligji i ri që nuk dënon veprën penale ka fuqi prapavepruese dhe në rast se personi është dënuar, ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillojë dhe në qoftë se ka filluar, pushon.
Thuhet, “në kushtet e zakonshme të zbatimit të Kodit Penal”, pasi ligjvënësi, mbas miratimit të ligjit nr.7895, datë 27.1.1995 “Për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë me dy ligje të veçanta, të miratuara ad`hoc me nr.7942 dhe 7984 të datave, respektivisht, 31.5.1995 dhe 28.7.1995, miratuar për hyrjen në fuqi të Kodit Penal, ka parashikuar shprehimisht që personave të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë për një ose më shumë vepra penale me masa dënimi, për një ose më shumë prej tyre, më të larta sesa maksimumi që parashikon për to Kodi i ri Penal, ju mbetet për secilën prej tyre, ky maksimum (nenet 2 dhe 1 të ligjeve respektive).
Nëpërmjet këtyre dy ligjeve, kanë përfituar vetëm personat që ishin dënuar para hyrjes në fuqi të Kodit të ri Penal, d.m.th. me kodet e mëparshme penale dhe një gjë e tillë ishte jo vetëm e domosdoshme, por edhe e kuptueshme, për shkak të disa ndryshimeve jo pak të rëndësishme, që pësoi instituti juridik i përgjegjësisë penale dhe elemente përbërëse të tij në Kodin e ri Penal, në krahasim me të mëparshmet.
__________________________________________________