strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - Bashkëpunimi i personave për kryerjen e veprës penale

  • Neni 25 - Kuptimi i bashkëpunimit
  • Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre.

  • Neni 26 - Bashkëpunëtorët
  • Bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale quhen: organizatorët, ekzekutorët, shtytësit dhe ndihmësit.
    Organizatorë quhen ata persona që organizojnë dhe drejtojnë veprimtarinë për kryerjen e veprës penale.
    Ekzekutorë janë personat që kryejnë veprime të drejtëpërdrejta për realizimin e veprës penale.
    Shtytës quhen personat që nxisin bashkëpunëtorët e tjerë për kryerjen e veprës penale.
    Ndihmës quhen personat që me këshilla, udhëzime, dhënie mjetesh, largim të pengesave, dhënie të premtimit për fshehjen e bashkëpunëtorëve, të gjurmëve apo të sendeve që rrjedhin nga vepra penale, ndihmojnë për kryerjen e saj.

  • Neni 27 - Përgjegjësia e bashkëpunëtorëve
  • Organizatorët, shtytësit dhe ndihmësit kanë përgjegjësi si edhe ekzekutorët për veprën penale të kryer prej tyre.
    Në caktimin e dënimit për bashkëpunëtorët, gjykata duhet të mbajë parasysh shkallën e pjesëmarrjes së secilit dhe rolin e luajtur në kryerjen e veprës penale.
    __________________________________________________
    Vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.1, datë 26.3.2002
    Marrëveshja, që është një nga elementët e domosdoshëm për të patur bashkëpunim në kryerjen e veprës penale, madje më kryesori, mund të vendoset jo vetëm midis organizatorit, ekzekutorit, shtytësit dhe ndihmësit që përbën formën klasike të bashkëpunimit. Ajo mund të vendoset edhe midis vetë ekzekutorëve të veprës penale, (në rastet kur ata janë dy ose më shumë persona) dhe në këtë rast do të ndodhemi para bashkëpunimit për të kryer vepër penale në formën e bashkekzekutimit të saj.
    Për të pasur këtë formë bashkëpunimi, kërkohet që secili nga personat që marrin pjesë në realizimin e veprës penale ose, thënë ndryshe, secili nga bashkekzekutorët, të kryejë veprime që të kenë lidhje të drejt përdrejtë shkakësore me pasojën e dëshiruar nga të gjithë të tjerët dhe që vjen si rezultat i këtyre veprimeve të kryera nga secili prej bashkkzekutorëve d.m.th. secili nga bashkekzekutorët me veprimin apo veprimet e tij, të marrë pjesë direkt në realizimin e anës objektive të veprës penale.
    Në të njëjtën kohë, kërkohet që veprimet e secilit prej bashkekzekutorëve të jenë rezultat i realizimit jo i dëshirave individuale të tij, por të jenë rezultat i realizimit të vullnetit të përbashkët të të gjithë bashkëkzekutorëve të një veprimtarie të caktuar, konkrete, kriminale.
    Kur vepra penale kryhet në bashkëpunim në formën e bashkekzekutimit, midis bashkëpunëtorëve nuk ka më ndarje rolesh, në kuptimin klasik të kësaj fjale (ndarje në rolet organizator, ekzekutor, shtytës dhe ndihmës), por ka një lloj ndarjeje tjetër, e cila ka të bëjë me ndarjen e punëve direkte që duhet të kryejë secili nga bashkekzekutorët për realizimin e vullnetit të përbashkët kriminal, vullnet ky që, në fund të fundit, manifestohet në botën e jashtme, veç veprimeve të secilit, edhe me arritjen e rezultatit kriminal të dëshiruar prej tyre.
    __________________________________________________

  • Neni 28 - Forma të veçanta të bashkëpunimit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 2)

    1. Organizata kriminale është forma më e lartë e bashkëpunimit, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona dhe që dallohet nga shkalla e veçantë e organizimit, strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes, si dhe nga qëllimi për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale. Organizata kriminale, për realizimin e qëllimeve të saj, përdor forcën, mjetet e tjera të kërcënimit, nënshtrimin dhe heshtjen për shkak të pjesëmarrjes dhe veprimtarisë së saj, për të kryer vepra penale, për të siguruar, në çdo mënyrë, administrimin ose vënien nën kontroll të veprimtarive ekonomike, të koncesioneve, autorizimeve, sipërmarrjeve dhe shërbimeve publike, për të realizuar përfitime ose avantazhe të padrejta për vete a personat e tjerë ose për të ndaluar a penguar ushtrimin e lirë të së drejtës së votës gjatë fushatave zgjedhore, si dhe veprimtarive të tjera të ngjashme me to.
    2. Organizata terroriste është një formë e veçantë e organizatës kriminale, që synon kryerjen e veprimeve të dhunshme për qëllime terroriste, si përmbysje të rendit kushtetues, turbullim të rëndë të rendit publik, ngjallje të frikës dhe të pasigurisë në masë.
    3. Banda e armatosur është një formë e veçantë bashkëpunimi që, duke zotëruar armë, municione luftarake dhe mjete të tjera të nevojshme, synon kryerjen e veprave penale, të parashikuara në krerët V, VI dhe VII të pjesës së posaçme të këtij Kodi.
    4. Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale. Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të zhvilluar.
    5. Krijimi dhe pjesëmarrja në një organizatë kriminale, organizatë terroriste, bandë të armatosur ose grup të strukturuar kriminal cilësohen si vepra penale dhe dënohen sipas parashikimeve të pjesës së posaçme të këtij Kodi ose të dispozitave të tjera penale të veçanta.
    6. Anëtarët e organizatës kriminale, të organizatës terroriste, bandës së armatosur ose grupit të strukturuar kriminal janë përgjegjës për të gjitha veprat penale, të kryera prej tyre, në përmbushjen e qëllimeve të veprimtarisë së tyre kriminale.
    7. Pjesëtari i organizatës kriminale, organizatës terroriste, bandës së armatosur ose i grupit të strukturuar kriminal, përfiton përjashtimin nga dënimi ose uljen e tij, kur jep ndihmesë, që gjykohet vendimtare për njohjen e veprimtarisë së tyre, të bashkëpunëtorëve të tjerë, pasurive të zotëruara drejtpërdrejt ose jo prej tyre, si dhe për veprimtaritë hetimore, që zhvillohen ndaj organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura dhe grupeve të strukturuara kriminale.