strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU V - Dënimet

  • Neni 29 - Dënimet kryesore
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)
    (Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 2)

    Për personat që kanë kryer krime jepen këto dënime kryesore:
    1. Me burgim të përjetshëm
    2. Me burgim
    3. Me gjobë

    Për personat që kanë kryer kundërvajtje penale jepen këto dënime kryesore:
    1. Me burgim
    2. Me gjobë

    Dënimi me burgim dhe gjobë jepen bashkërisht, kur parashikohet në dispozitat përkatëse të këtij Kodi.

  • Neni 30 - Dënime plotësuese
  • (Ndryshuar pika 2, me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 3)
    (Ndryshuar pika 1 me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 3)

    Për personat që kanë kryer krime ose kundërvajtje penale, bashkë me dënimin kryesor, mund të jepen edhe një ose disa nga këto dënime plotësuese:
    1. Ndalimi i të drejtës për të ushtruar funksione publike.
    2. Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale.
    3. Ndalimi për të drejtuar automjete.
    4. Heqja e dekoratave, titujve të nderit.
    5. Heqja e së drejtës të ushtrimit të një veprimtarie ose mjeshtërie.
    6. Heqja e së drejtës për të ushtruar detyra drejtuese pranë personave juridikë.
    7. Ndalimi për të qëndruar në një ose disa njësi administrative.
    8. Nxjerrja jashtë territorit.
    9. Detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor.

    Gjykata, në raste të veçanta, kur dhënia e dënimeve kryesore çmohet e papërshtatshme dhe kur ligji parashikon dënim me burgim deri në 3 vjet ose dënime të tjera më të lehta për veprën e kryer, mund të mjaftohet vetëm me caktimin e dënimit plotësues.

  • Neni 31 - Dënimi me burgim të përjetshëm
  • (Ndryshuar paragrafi i I, II dhe titulli me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)

    Dënimi me burgim të përjetshëm jepet me vendim të gjykatës për kryerjen e një krimi të rëndë.
    Dënimi me burgim të përjetshëm nuk jepet ndaj personave që në kohën e kryerjes së krimit nuk kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, si dhe për gratë.
    Dënimi me burgim të përjetshëm parashikohet bashkërisht me dispozitat e Pjesës së Posaçme të këtij Kodi.

  • Neni 32 - Dënimi me burgim
  • Dënimi me burgim për krime jepet për një kohë nga pesë ditë deri në njëzetepesë vjet.
    Për kundërvajtje penale dënimi me burgim jepet për një kohë nga pesë ditë deri në dy vjet.

  • Neni 33 - Mënyra e vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm dhe me burgim
  • Dënimi me burgim të përjetshëm dhe dënimi me burgim vuhen në institucione të caktuara posaçërisht për këtë qëllim.
    Rregullat mbi mënyrën e vuajtjes së dënimeve, të drejtat dhe detyrat e të dënuarve caktohen me ligj.
    Të miturit e kryejnë dënimin me burgim në vende të veçanta nga të rriturit.
    Gratë e kryejnë dënimin me burgim në institucione të veçanta nga burrat.

  • Neni 34 - Dënimi me gjobë
  • (Ndryshuar paragrafi i III dhe IV, shtuar paragrafi i V, ndryshuar paragrafi i VII, me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 3)
    (Ndryshuar paragrafi IV me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 4)

    Dënimi me gjobë konsiston në pagimin në favor të shtetit të një shume të hollash brenda kufijve të parashikuar në ligj.
    Dënimi me gjobë jepet për personat që kryejnë krim ose kundërvajtje penale.
    Për personat që kryejnë krim gjoba jepet nga 100 mijë gjer në 10 milionë lekë.
    Për personat që kryejnë kundërvajtje penale, gjoba jepet nga 50 mijë gjer në 3 milionë lekë.
    Për personat që kryejnë krime për motive të fitimit të pasurive ose të sigurimit të çdo lloj përfitimi tjetër material, nëse dispozita penale parashikon vetëm dënim me burgim, gjykata mund të japë edhe dënim me gjobë nga 100 mijë gjer në 5 milionë lekë.
    Dënimi me gjobë paguhet në afatin e caktuar në vendimin e gjykatës.
    Gjykata, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të të dënuarit, mund të lejojë që gjoba të paguhet me këste, duke caktuar këstet dhe afatin e pagimit të tyre.
    Kur gjoba nuk paguhet në afatin e caktuar, gjykata vendos zëvendësimin e gjobës me burgim, duke llogaritur 5 mijë lekë për një ditë burgim.
    Kur gjoba është dhënë për kryerjen e një krimi, zëvendësimi i saj me burgim nuk mund të kalojë tre vjet, ndërsa kur ajo është dhënë për kryerjen e një kundërvajtjeje penale, zëvendësimi nuk mund të kalojë një vit burgim, por gjithmonë pa kaluar maksimumin e dënimit me burgim që parashikon dispozita përkatëse.
    Kur i dënuari si më sipër gjatë zbatimit të burgimit paguan gjobën, gjykata revokon vendimin, duke bërë llogaritjet sipas kriterit të paragrafit të 7 të këtij neni.

  • Neni 35 - Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike
  • (Riformuluar me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 5)

    Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një kohë jo më pak se pesë vjet, jepet detyrimisht ndaj personit që ka kryer një krim, që lidhet me detyrën, duke shpërdoruar funksionin publik ose ka kryer një krim, për të cilin gjykata ka caktuar një dënim me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
    Heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike mund të jepet për një kohë nga tre deri në pesë vjet, kur gjykata ka caktuar një dënim nga pesë deri në dhjetë vjet burgim, dhe nga një deri në tre vjet, kur është caktuar dënimi deri në tre vjet burgim.

  • Neni 36 - Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 4)

    1. Konfiskimi jepet detyrimisht nga gjykata dhe ka të bëjë me marrjen dhe kalimin në favor të shtetit:
    a) të sendeve që kanë shërbyer ose janë caktuar si mjete për kryerjen e veprës penale;
    b) të produkteve të veprës penale, ku përfshihet çdo lloj pasurie, si dhe dokumentet ose instrumentet ligjore që vërtetojnë tituj ose interesa të tjerë në pasurinë që rrjedh ose fitohet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga kryerja e veprës penale;
    c) të shpërblimeve, të dhëna ose të premtuara, për kryerjen e veprës penale;
    ç) të çdo pasurie tjetër, vlera e së cilës i korrespondon asaj të produkteve të veprës penale;
    d) të sendeve, prodhimi, përdorimi, mbajtja ose tjetërsimi i të cilave përbëjnë vepër penale, edhe kur nuk është dhënë vendim dënimi.
    2. Nëse produktet e veprës penale janë transformuar ose shndërruar pjesërisht ose plotësisht në pasuri të tjera, këto të fundit i nënshtrohen konfiskimit.
    3. Nëse produktet e veprës penale janë bashkuar me pasuri të fituara në rrugë të ligjshme, këto të fundit konfiskohen deri në vlerën e produkteve të veprës penale.
    4. Konfiskimit i nënshtrohen edhe të ardhurat ose përfitimet e tjera nga produktet e veprës penale, nga pasuritë në të cilat janë transformuar ose shndërruar produktet e veprës penale ose nga pasuritë me të cilat janë përzier këto produkte, në të njëjtën masë dhe mënyrë sikurse produktet e veprës penale.

  • Neni 37 - Ndalimi për të drejtuar automjete
  • Ndalimi për të drejtuar automjete jepet nga gjykata, për një kohë një gjer në pesë vjet, kundër personave që kanë kryer vepër penale, kur çmohet se do të ketë efekt parandalues apo pajtohet me natyrën e veprës së kryer.

  • Neni 38 - Heqja e dekoratave dhe e titujve
  • Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit vendoset për personat që kanë kryer një vepër penale që dënohet me burgim dhe çmohet se mbajtja e tyre nuk pajtohet me natyrën e veprës penale të kryer.
    Heqja e dekoratave dhe titujve të nderit është e përhershme kur personi dënohet për një krim mbi dhjetë vjet dhe nga një gjer në pesë vjet, kur dënohet gjer në dhjetë vjet burgim.

  • Neni 39 - Heqja e së drejtës të ushtrimit të veprimtarisë apo mjeshtërisë
  • Heqja e së drejtës të ushtrimit të një veprimtarie ose të një mjeshtërie e ndalon të dënuarin të ushtrojë veprimtarinë ose mjeshtërinë për të cilën është dhënë leje e veçantë, dëshmi, autorizim apo licencë nga organi kompetent.
    Heqja e së drejtës së ushtrimit të veprimtarisë ose mjeshtërisë jepet për një kohë nga një muaj gjer në pesë vjet dhe është rrjedhojë e çdo dënimi për vepra penale që kryhen duke i shpërdoruar ato.

  • Neni 40 - Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese
  • (Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 6)

    Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese pranë personave juridikë, i heq mundësinë të dënuarit të ushtrojë detyrat e drejtorit, të administratorit, sipërmarrësit, likuidatorit, si dhe çdo detyrë tjetër që ka të bëjë me cilësinë e përfaqësuesit të personit juridik.
    Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese pranë personave juridikë është rrjedhojë e çdo dënimi për vepra penale dhe jepet për një kohë nga një muaj gjer në pesë vjet, kur i dënuari ka shpërdoruar funksionet apo ka vepruar në kundërshtim me rregullat që lidhen me detyrën.
    Kur dënimi i dhënë nga gjykata është jo më pak se pesë vjet burgim, kjo e drejtë mund të hiqet për një kohë nga pesë deri në dhjetë vjet.

  • Neni 41 - Ndalimi për të qëndruar në një apo disa njësi administrative
  • Ndalimi për të qëndruar në një apo disa njësi administrative jepet nga gjykata për një kohë nga një gjer në pesë vjet, kur çmohet se qëndrimi i të dënuarit në këto vende përbën rrezik për sigurimin publik.

  • Neni 42 - Nxjerrja jashtë territorit
  • Nxjerrja jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë jepet nga gjykata ndaj shtetasit të huaj dhe atij pa shtetësi që kryen një krim dhe çmohet se qëndrimi i mëtejshëm i tij në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk duhet të vazhdojë më në të ardhmen.
    Vendimi revokohet nga gjykata, me kërkesën e të dënuarit, kur shtetasi i huaj apo pa shtetësi fiton shtetësinë shqiptare.

  • Neni 43 - Publikimi i vendimit gjyqësor
  • Publikimi i vendimit gjyqësor jepet nga gjykata kur çmon se njohja e përmbajtjes së vendimit ka interes për persona juridikë e fizikë.
    Publikimi i vendimit gjyqësor konsiston në detyrimin e të dënuarit që me shpenzimet e veta të publikojë në një apo disa gazeta ose stacione radiotelevizive tërësisht apo pjesërisht vendimin gjyqësor, sipas urdhërimit të bërë nga gjykata.
    Data e publikimit dhe kohëzgjatja e tij caktohen nga gjykata.
    Organet e shtypit dhe të radiotelevizionit janë të detyruar të bëjnë publikimin e vendimit gjyqësor të dërguar nga gjykata.
    Publikimi i vendimit gjyqësor nuk jepet kur rrezikohet përhapja e sekretit shtetëror, cenohet jeta intime e personave ose preket morali shoqëror.

  • Neni 44 - Mënyra e vuajtjes së dënimeve plotësuese
  • Kur gjykata, së bashku me një dënim me burgim, jep edhe një ose disa nga dënimet plotësuese të përmendura në nenin 30 të këtij Kodi, zbatimi i tyre fillon së bashku me vuajtjen e dënimit kryesor.
    Për numrat 1, 3, 5, 6, 7 dhe 8 të nenit 30 të këtij Kodi zbatimi i tyre fillon pas vuajtjes së dënimit me burgim. Të drejtat e cenuara nga dënimet plotësuese i dënuari nuk mund t’i ushtrojë gjatë kohës së vuajtjes së dënimit me burgim.

  • Neni 45 - Zbatimi i ligjit penal ndaj personave juridikë
  • (Shfuqizuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 4)
    (Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 7)

    Personat juridikë, me përjashtim të institucioneve shtetërore, përgjigjen penalisht për vepra penale, të kryera në emër ose në dobi të
    tyre nga organet dhe përfaqësuesit e tyre.
    Njësitë e qeverisjes vendore përgjigjen penalisht vetëm për veprime të kryera gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, të cilat mund të ushtrohen nëpërmjet delegimit të shërbimeve publike.
    Përgjegjësia penale e personave juridikë nuk përjashton atë të personave fizikë, të cilët kanë kryer ose janë bashkëpunëtorë në kryerjen e të njëjtave vepra penale.
    Veprat penale dhe masat ndëshkuese përkatëse, që zbatohen ndaj personave juridikë, si dhe procedura për vendosjen dhe ekzekutimin e tyre rregullohen me ligj të veçantë.

  • Neni 46 - Masat mjekësore dhe edukuese
  • Masat mjekësore mund të jepen nga gjykata ndaj personave të papërgjegjshëm që kanë kryer vepër penale, ndërsa masat edukuese mund të jepen ndaj të miturve që përjashtohen nga dënimi ose që për shkak të moshës nuk kanë përgjegjësi penale.

    Masat mjekësore janë:
    1. Mjekimi i detyruar ambulator
    2. Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor

    Masa edukuese është:
    1. Vendosja e të miturit në një institucion edukimi

    Vendimi gjyqësor për masat mjekësore dhe edukuese është i revokueshëm në çdo kohë kur zhduken rrethanat për të cilat ai është dhënë, por në çdo rast, gjykata, kryesisht, është e detyruar që pas kalimit të një viti nga dita e dhënies së vendimit, të marrë në shqyrtim vendimin e saj.
    Rregullat për revokimin e vendimit gyqësor që përmban masën mjekësore dhe edukuese, parashikohen në Kodin e Procedurës Penale.