strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU VI - Caktimi i dënimit

  • Neni 47 - Mënyra e caktimit të dënimit
  • Gjykata cakton dënimin duke respektuar dispozitat e pjesës së përgjithshme të këtij Kodi dhe kufijtë e dënimeve të parashikuar në ligj për veprën penale.
    Në caktimin e dënimit ndaj personit ajo merr parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, të autorit të saj, shkallën e fajit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

  • Neni 48 - Rrethanat lehtësuese
  • Lehtësojnë dënimin rrethanat që vijojnë:
    a) Kur vepra është kryer e shtyrë nga motive me vlera pozitive morale e shoqërore;
    b) kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga provokimi ose veprime të padrejta të viktimës apo të ndonjë personi tjetër;
    c) kur vepra është kryer nën ndikimin e veprimeve apo të udhëzimeve të padrejta të eprorit;
    ç) kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë;
    d) kur personi ka zëvendësuar dëmin e shkaktuar nga vepra penale ose ka ndihmuar aktivisht për të zhdukur ose pakësuar pasojat e veprës
    penale;
    dh) kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së veprës penale;
    e) kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale dhe të dëmtuarit janë normalizuar.

  • Neni 49
  • Gjykata, pavarësisht nga rrethanat që përmenden në nenin 48 të këtij Kodi, mund të marrë në konsideratë edhe rrethanat të tjera për sa kohë i quan të tilla që justifikojnë lehtësimin e dënimit.

  • Neni 50 - Rrethanat rënduese
  • (Ndryshuar shkronja “b”, shtuar shkronja “h” dhe “i” me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 5;
    ndryshuar shkronja “dh” me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 8;
    shtuar shkronja “j” me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 6)

    Rëndojnë dënimin rrethanat që vijojnë:
    a) kryerja e veprës i shtyrë nga motive të dobëta;
    b) kryerja e veprës për të vënë para përgjegjësisë ose për të fshehur përgjegjësinë penale të një tjetri apo për të shmangur dënimin për një vepër penale tjetër ose për të realizuar, ose për të siguruar për vete a për të tretët fitime pasurore, ose çdo lloj përfitimi tjetër material;
    c) kryerja e veprës penale me egërsi dhe mizori;
    ç) kryerja e një krimi pas dhënies së një dënimi për një krim të kryer më parë;
    d) kryerja e veprimeve që rëndojnë apo shtojnë pasojat e veprës penale;
    dh) kryerja e veprës penale duke shpërdoruar funksionin publik ose shërbimin fetar;
    e) kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzana ose personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen;
    f) kur vepra është drejtuar ndaj përfaqësuesve të shteteve të tjera;
    g) kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare, të miqësisë, të mikpritjes;
    gj) kryerja e veprës penale në bashkëpunim;
    h) kryerja e veprës penale më shumë se një herë;
    i) kur vepra është kryer duke përdorur armë, municione luftarake, lëndë plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive.
    j) kryerja e veprës e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, kombësinë, gjuhën, bindjet politike, fetare ose sociale.

  • Neni 51 - Dënimi me burgim për të miturit
  • Për të miturit, që në kohën e kryerjes së veprës penale nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, dënimi me burgim nuk mund të jetë më shumë se gjysma e dënimit që parashikon ligji për veprën penale të kryer.

  • Neni 52 - Përjashtimi i të miturit nga dënimi
  • Gjykata, nisur nga rrezikshmëria e pakët e veprës penale, nga rrethanat konkrete të kryerjes së saj, nga sjellja e mëparshme e të miturit, mund ta përjashtojë atë nga dënimi.
    Në këto raste gjykata mund të vendosë dërgimin e të miturit në një institucion edukimi.

  • Neni 53 - Ulja e dënimit nën kufijtë e parashikuar nga ligji
  • Gjykata, në raste të veçanta, kur çmon që vepra dhe autori i saj paraqesin rrezikshmëri të pakët dhe janë të pranishme disa nga rrethanat lehtësuese, ka të drejtë të caktojë një dënim nën minimumin ose një lloj dënimi më të butë se ai që parashikon dispozita përkatëse.

  • Neni 54 - Pranimi i pagimit të gjobës
  • Për kundërvajtjet penale për të cilat, veç gjobës, parashikohet njëkohësisht dënimi me burgim, gjykata, me kërkesën e autorit të kundërvajtjes penale mund të pranojë që ai të paguajë aty për aty një shumë të hollash në favor të buxhetit të shtetit, e barabartë me gjysmën e maksimumit të gjobës të parashikuar për kundërvajtjet penale në Pjesën e Përgjithshme të këtij Kodi.
    Kërkesa mund të paraqitet në çdo fazë të gjykimit deri përpara dhënies së vendimit përfundimtar të shkallës së parë.
    Kur gjykata nuk pranon kërkesën, jep dënimin për veprën e kryer.
    Pranimi i kërkesës nuk lejohet për personat që më parë janë dënuar edhe për kundërvajtje penale.

  • Neni 55 - Caktimi i dënimeve për disa vepra penale
  • Kur veprimet ose mosveprimet përmbajnë elementët e disa veprave penale, si dhe kur personi ka kryer disa vepra penale për të cilat nuk është dhënë akoma vendim, gjykata më parë cakton dënimin për çdo vepër penale dhe në përfundim jep një dënim të vetëm, që përbëhet nga dënimi më i rëndë i shtuar.
    Dënimi më i rëndë i shtuar nuk mund të kapërcejë shumën e përgjithshme të dënimeve të caktuara veç e veç, as kufirin më të lartë të parashikuar për llojin e dënimit të dhënë.
    Kur gjykata çmon se kryerja e shumë veprave penale nuk tregon rrezikshmëri të madhe të fajtorit, mund të japë si dënim përfundimtar dënimin më të rëndë që ka caktuar për një nga veprat penale.
    Gjykata në vendimin përfundimtar jep një ose më shumë nga dënimet plotësuese të dhëna më vete për çdo vepër të veçantë.

  • Neni 56 - Bashkimi i dënimeve
  • Kur i dënuari, para vuajtjes së plotë të dënimit, dënohet për një vepër penale të kryer para dhënies së vendimit, zbatohen rregullat e nenit të mësipërm dhe pjesa e vuajtur e dënimit llogaritet në dënimin e ri.
    Kur i dënuari, pas dhënies së vendimit, por para vuajtjes së plotë të dënimit, kryen një vepër penale të re, gjykata bën bashkimin e dënimit të ri me pjesën e mbetur të dënimit të mëparshëm, duke ndjekur rregullat e parashikuara nga neni 55 i këtij Kodi.

  • Neni 57 - Llogaritja e paraburgimit
  • (Ndryshuar paragrafi i III me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 6)

    Koha e paraburgimit llogaritet në dënimin me burgim ose me gjobë, si dhe në detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik si më poshtë:
    Një ditë paraburgim baras me një ditë e gjysmë burgim.
    Një ditë paraburgim baras me 5 mijë lekë gjobë.
    Një ditë paraburgim baras me tetëmbëdhjetë orë pune në interes publik.