Neni 50 - Rrethanat rënduese

(Ndryshuar shkronja “b”, shtuar shkronja “h” dhe “i” me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 5;
ndryshuar shkronja “dh” me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 8;
shtuar shkronja “j” me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 6)

Rëndojnë dënimin rrethanat që vijojnë:
a) kryerja e veprës i shtyrë nga motive të dobëta;
b) kryerja e veprës për të vënë para përgjegjësisë ose për të fshehur përgjegjësinë penale të një tjetri apo për të shmangur dënimin për një vepër penale tjetër ose për të realizuar, ose për të siguruar për vete a për të tretët fitime pasurore, ose çdo lloj përfitimi tjetër material;
c) kryerja e veprës penale me egërsi dhe mizori;
ç) kryerja e një krimi pas dhënies së një dënimi për një krim të kryer më parë;
d) kryerja e veprimeve që rëndojnë apo shtojnë pasojat e veprës penale;
dh) kryerja e veprës penale duke shpërdoruar funksionin publik ose shërbimin fetar;
e) kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzana ose personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen;
f) kur vepra është drejtuar ndaj përfaqësuesve të shteteve të tjera;
g) kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare, të miqësisë, të mikpritjes;
gj) kryerja e veprës penale në bashkëpunim;
h) kryerja e veprës penale më shumë se një herë;
i) kur vepra është kryer duke përdorur armë, municione luftarake, lëndë plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive.
j) kryerja e veprës e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, fenë, kombësinë, gjuhën, bindjet politike, fetare ose sociale.