strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU VII - Alternativat e dënimit me burgim

  • Neni 58 - Gjysmëliria
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 2)

    Për dënimin deri në një vit burgim, gjykata, për shkak të detyrimeve të personit të dënuar për punën, arsimin, kualifikimin ose aftësimin profesional, përgjegjësitë thelbësore familjare apo për nevojën për trajtim ose rehabilitim mjekësor, mund të vendosë ekzekutimin e vendimit me burgim me gjysmëliri.
    Personi i dënuar, që vuan dënimin me gjysmëliri, është i detyruar te kthehet në burg, pasi të ketë kryer detyrimet jashtë burgut, brenda periudhës kohore të përcaktuar nga gjykata.
    Kur personi i dënuar nuk përmbush detyrimet, sipas këtij neni, zbatohet neni 62 i këtij Kodi.

  • Neni 59 - Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 3)

    Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në pes¸ vjet, mund të urdhëroj¸ që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
    Gjykata urdhëron që i dënuari të përmbushë një apo më shume detyrime, të parashikuara në nenin 60 të këtij Kodi.
    Afati i provës është 18 muaj deri në 5 vjet.
    Nëse i dënuari nuk mban kontakte me shërbimin e provës apo nuk përmbush detyrimet e parashikuara në nenin 60, siç është urdhëruar nga gjykata, gjykata vendos zëvendësimin e dënimit të parë me një dënim tjetër, zgjatjen e afatit të mbikëqyrjes, brenda periudhës së provës, ose revokimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit.

  • Neni 59/a - Qëndrimi në shtëpi
  • (Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 4)

    Për dënimet me burgim deri në dy vjet ose kur kjo kohë është pjesë e mbetur e dënimit, sipas një vendimi për një periudhë më të gjatë burgimi, gjykata mund të vendosë vuajtjen e dënimit të dhënë me qëndrimin në shtëpi të të dënuarit, në një shtëpi tjetër private apo në një qendër të kujdesit dhe të shëndetit publik, kur ekzistojnë rrethanat e mëposhtme:
    a) Për gratë shtatzëna ose nëna me fëmijë, nën moshën 10 vjeç, që jetojnë me të.
    b) Për baballarët, që kanë përgjegjësi prindërore për fëmijën, që jeton me të, nën moshën 10 vjeç, kur nëna e tij ka vdekur apo është e pazonja për t’u kujdesur për të.
    c) Për persona, në kushte të rënda shëndetësore, që kërkojnë
    kujdes të vazhdueshëm nga shërbimi shëndetësor, jashtë burgut.
    ç) Për personat mbi 60 vjeç, që janë të paaftë nga ana shëndetësore.

  • Neni 60 - Detyrimet e të dënuarit të vënë në provë
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 5)

    I dënuari i vënë në provë, mund të detyrohet nga gjykata të plotësojë një apo më tepër prej detyrimeve të mëposhtëme:
    1. Të ushtrojë një veprimtari profesionale ose të marrë një arsim apo formim profesional.
    2. Shfrytëzimi i pagës dhe i të ardhurave të tjera ose i pasurisë për përmbushjen e detyrimeve financiare.
    3. Të riparojë dëmin civil të shkaktuar.
    4. Të ndalohet të drejtojë automjete të caktuara.
    5. Të mos ushtrojë veprimtari profesionale kur vepra penale ka lidhje me këtë veprimtari.
    6. Të mos frekuentojë vende të caktuara.
    7. Të mos frekuentojë lokale që shërbejnë pije alkoolike.
    8. Të qëndrojë në banesën e tij në orare të caktuara.
    9. Të mos shoqërohet me persona të caktuar, kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorët e veprës penale.
    10. Të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë.
    11. Mjekimi ose rehabilitimi në një institucion shëndetësor ose nënshtrimi në një program të trajtimit, mjekësor apo rehabilitues.
    12. Heqja dorë nga përdorimi i alkoolit ose drogës.

    Në përcaktimin e detyrimeve për të dënuarin, gjykata merr parasysh moshën e të dënuarit, gjendjen mendore, mënyrën e jetesës dhe nevojat e tij, veçanërisht ato të lidhura me familjen, edukimin ose punën, motivet e kryerjes së veprës penale, qëndrimin pas kryerjes së veprës penale, si dhe rrethana të tjera, që ndikojnë në vendosjen e detyrimeve, sipas këtij neni dhe mbikëqyrjen e tyre.

  • Neni 61 - Detyrimet e të dënuarit gjatë kohës së provës
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 023, datë 27.12.2008, neni 6)

    Gjatë kohës së provës i dënuari është i detyruar:
    a) të paraqitet rregullisht dhe të informojë në vazhdimësi shërbimin e provës për përmbushjen e kushteve dhe detyrimeve të caktuara nga gjykata;
    b) të marrë pëlqimin nga shërbimi i provës për ndryshimin e vendbanimit, qendrës së punës apo për lëvizjet e shpeshta brenda vendit.

  • Neni 62 - Shkelja e kushteve dhe e detyrimeve gjatë kohës së provës
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 7)

    Nëse i dënuari, gjatë afatit të provës, kryen një vepër tjetër penale, gjykata mund të ndryshojë detyrimet që ka vendosur, ta zëvendësojë dënimin e dhënë me një dënim tjetër, apo ta revokojë, tërësisht ose pjesërisht, vendimin e pezullimit.
    Nëse i dënuari, gjatë afatit të provës, shkel kushtet ose detyrimet që i janë vendosur, shërbimi i provës i raporton menjëherë prokurorit.
    Për shkelje të lehta dhe për herë të parë të kushteve ose të detyrimeve që i janë vendosur nga gjykata, prokurori ka të drejtë të japë paralajmërim, i cili regjistrohet në dosjen personale të të dënuarit.
    Për shkelje të rënda ose të përsëritura, prokurori i kërkon gjykatës ndryshimin e detyrimit të vendosur, shtimin e detyrimeve të tjera, zëvendësimin e tyre me një sanksion tjetër, ose revokimin e vendimit të pezullimit të dënimit dhe vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit në burg.

  • Neni 63 - Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe detyrimi për kryerjen e një pune në interes publik
  • (Ndryshuar me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 8)

    Gjykata, për shkak të rrezikshmërisë së pakët të personit dhe të rrethanave të kryerjes së veprës penale, kur ka caktuar një dënim gjer në një vit burgim, mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me detyrimin që i dënuari të përmbushë një punë në interes publik.
    Puna me interes publik nënkupton kryerjen nga i dënuari të një pune, me pëlqimin e tij dhe pa shpërblim, në favor të interesit publik apo shoqatës së caktuar në vendimin e gjykatës, për një kohë nga dyzet deri në dyqind e dyzet orë.
    Ky detyrim nuk mund të vendoset kur i dënuari refuzon pezullimin në seancë gjyqësore.
    Puna në interes publik kryhet brenda afatit prej gjashtë muajsh.
    Në vendimin e saj gjykata përcakton numrin e orëve të punës dhe detyrimin që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
    Shërbimi i provës vendos llojin e punës që do të kryhet, përcakton vendin e kryerjes së punës dhe ditët e javës kur do të kryhet ajo, duke pasur parasysh, për aq sa është e mundur, punësimin e rregullt të të dënuarit apo detyrimet e tij familjare. Kohëzgjatja e punës me interes publik nuk i kalon tetë orë në ditë.
    Pas përfundimit të punës, dënimi konsiderohet i paqenë.
    Nëse i dënuari nuk kryen punën me interes publik, nuk mban kontakte me shërbimin e provës apo shkel kushtet ose detyrimet e
    tjera, të vendosura nga gjykata, prokurori informon menjëherë gjykatën. Gjykata, në këtë rast, vendos sipas nenit 62 të këtij Kodi.

  • Neni 64 - Lirimi me kusht
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 7;
    ndryshuar me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 9)

    I dënuari me burgim mund të lirohet me kusht, nga vuajtja e dënimit vetëm për arsye të veçanta, nëse me sjelljen dhe punën e tij tregon se me dënimin e vuajtur i është arritur qëllimit për edukimin e tij, si dhe të ketë vuajtur:
    - jo më pak se gjysmën e dënimit të dhënë për kundërvajtje penale;
    - jo më pak se dy të tretat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi gjer në pesë vjet burgim;
    - jo më pak se tre të katërtat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi nga pesë gjer në njëzet e pesë vjet burgim.
    Në masën e dënimit të vuajtur nuk llogaritet koha e përfituar me amnisti ose falje.
    Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me dashje.
    Lirimi me kusht revokohet nga gjykata, kur i dënuari për një vepër penale të kryer me dashje, gjatë kohës së kushtit, kryen një vepër tjetër penale me dashje, duke u zbatuar dispozitat për bashkimin e dënimeve.

  • Neni 65 - Nuk lejohet lirimi para kohe me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm
  • (Ndryshuar paragrafi I, II me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 10)

    Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm.
    Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur:
    Ka vuajtur jo më pak se njëzet e pesë vjet burgim dhe, gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij.