Neni 60 - Detyrimet e të dënuarit të vënë në provë

(Ndryshuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 5)

I dënuari i vënë në provë, mund të detyrohet nga gjykata të plotësojë një apo më tepër prej detyrimeve të mëposhtëme:
1. Të ushtrojë një veprimtari profesionale ose të marrë një arsim apo formim profesional.
2. Shfrytëzimi i pagës dhe i të ardhurave të tjera ose i pasurisë për përmbushjen e detyrimeve financiare.
3. Të riparojë dëmin civil të shkaktuar.
4. Të ndalohet të drejtojë automjete të caktuara.
5. Të mos ushtrojë veprimtari profesionale kur vepra penale ka lidhje me këtë veprimtari.
6. Të mos frekuentojë vende të caktuara.
7. Të mos frekuentojë lokale që shërbejnë pije alkoolike.
8. Të qëndrojë në banesën e tij në orare të caktuara.
9. Të mos shoqërohet me persona të caktuar, kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorët e veprës penale.
10. Të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë.
11. Mjekimi ose rehabilitimi në një institucion shëndetësor ose nënshtrimi në një program të trajtimit, mjekësor apo rehabilitues.
12. Heqja dorë nga përdorimi i alkoolit ose drogës.

Në përcaktimin e detyrimeve për të dënuarin, gjykata merr parasysh moshën e të dënuarit, gjendjen mendore, mënyrën e jetesës dhe nevojat e tij, veçanërisht ato të lidhura me familjen, edukimin ose punën, motivet e kryerjes së veprës penale, qëndrimin pas kryerjes së veprës penale, si dhe rrethana të tjera, që ndikojnë në vendosjen e detyrimeve, sipas këtij neni dhe mbikëqyrjen e tyre.