Neni 63 - Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe detyrimi për kryerjen e një pune në interes publik

(Ndryshuar me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 8)

Gjykata, për shkak të rrezikshmërisë së pakët të personit dhe të rrethanave të kryerjes së veprës penale, kur ka caktuar një dënim gjer në një vit burgim, mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe zëvendësimin e tij me detyrimin që i dënuari të përmbushë një punë në interes publik.
Puna me interes publik nënkupton kryerjen nga i dënuari të një pune, me pëlqimin e tij dhe pa shpërblim, në favor të interesit publik apo shoqatës së caktuar në vendimin e gjykatës, për një kohë nga dyzet deri në dyqind e dyzet orë.
Ky detyrim nuk mund të vendoset kur i dënuari refuzon pezullimin në seancë gjyqësore.
Puna në interes publik kryhet brenda afatit prej gjashtë muajsh.
Në vendimin e saj gjykata përcakton numrin e orëve të punës dhe detyrimin që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
Shërbimi i provës vendos llojin e punës që do të kryhet, përcakton vendin e kryerjes së punës dhe ditët e javës kur do të kryhet ajo, duke pasur parasysh, për aq sa është e mundur, punësimin e rregullt të të dënuarit apo detyrimet e tij familjare. Kohëzgjatja e punës me interes publik nuk i kalon tetë orë në ditë.
Pas përfundimit të punës, dënimi konsiderohet i paqenë.
Nëse i dënuari nuk kryen punën me interes publik, nuk mban kontakte me shërbimin e provës apo shkel kushtet ose detyrimet e
tjera, të vendosura nga gjykata, prokurori informon menjëherë gjykatën. Gjykata, në këtë rast, vendos sipas nenit 62 të këtij Kodi.