Neni 64 - Lirimi me kusht

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 7;
ndryshuar me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008, neni 9)

I dënuari me burgim mund të lirohet me kusht, nga vuajtja e dënimit vetëm për arsye të veçanta, nëse me sjelljen dhe punën e tij tregon se me dënimin e vuajtur i është arritur qëllimit për edukimin e tij, si dhe të ketë vuajtur:
- jo më pak se gjysmën e dënimit të dhënë për kundërvajtje penale;
- jo më pak se dy të tretat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi gjer në pesë vjet burgim;
- jo më pak se tre të katërtat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi nga pesë gjer në njëzet e pesë vjet burgim.
Në masën e dënimit të vuajtur nuk llogaritet koha e përfituar me amnisti ose falje.
Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me dashje.
Lirimi me kusht revokohet nga gjykata, kur i dënuari për një vepër penale të kryer me dashje, gjatë kohës së kushtit, kryen një vepër tjetër penale me dashje, duke u zbatuar dispozitat për bashkimin e dënimeve.