Neni 79 - Vrasja në rrethana të tjera cilësuese

(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 11)
(Ndryshuar shkronja “c” me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 9)

Vrasja me dashje e kryer:
a) ndaj të miturit;
b) ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;
c) ndaj deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, policit, ushtarakut, funksionarët e tjerë publik, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura;
ç) ndaj kallëzuesit, dëshmitarit, të dëmtuarit ose palëve të tjera ndërgjyqëse;
d) më shumë se një herë;
dh) kundër dy ose më shumë personave;
e) në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës;
ë) në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.