strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI III - Veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit

  • Neni 86 - Tortura
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 10)

    Kryerja me dashje e veprave, nëpërmjet të cilave një personi i janë shkaktuar vuajtje të rënda, fizike apo mendore, nga një person, që ushtron funksione publike, ose me nxitjen apo miratimin e tij, të hapur ose të heshtur, me qëllim:
    a) për të marrë prej tij ose një tjetri informata ose pohime;
    b) për ta ndëshkuar për një veprim të kryer ose që dyshohet të jetë kryer prej/ose një personi tjetër;
    c) për ta frikësuar ose bërë presion mbi të ose një person tjetër;
    ç) për çdo qëllim tjetër të bazuar në çfarëdolloj forme diskriminimi;
    d) çdo akt tjetër çnjerëzor apo poshtërues;

    - përbëjnë vepër penale dhe dënohen me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.

  • Neni 87 - Tortura me pasoja të rënda
  • Tortura, si dhe çdo akt tjetër çnjerëzor, kur ka sjellë gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim të përhershëm të shëndetit të personit apo vdekjen, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

  • Neni 88 - Plagosja e rëndë me dashje
  • Plagosja e kryer me dashje që ka sjellë si pasojë gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim tjetër të përhershëm të shëndetit, ndërprerjen e shtatzanisë, ose ka qenë e rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit të saj, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
    Po kjo vepër, kur është kryer kundër disa personave ose kur ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 88/a - Plagosje e rëndë në gjendje të tronditjes së fortë psikike
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 13)

    Plagosja e rëndë, e kryer në gjendje të tronditjes të fortë psikike të çastit, shkaktuar nga dhuna ose fyerja e rëndë nga ana e të dëmtuarit, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 88/b - Plagosje e rëndë me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 13)

    Plagosja e rëndë, e kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 89 - Plagosja e lehtë me dashje
  • Plagosja e kryer me dashje, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se 9 ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 89/a
  • (Shtuar me ligjin nr.8204, datë 10.4.1997, neni 1)

    Shitblerja e transplanteve, si dhe çdo veprimtari që lidhet me heqjen dhe implantimin e paligjshëm të organeve, dënohet me burgim nga 3 deri në 10 vjet.
    Kur këto vepra kryhen me qëllim fitimi, dënohen me burgim nga 10 deri në 20 vjet.

  • Neni 90 - Dëmtime të tjera me dashje
  • Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, përbën kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë.
    Po kjo vepër, kur ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë deri në 9 ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.