strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI IX - Vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes

  • Neni 124 - Braktisja e fëmijëve të mitur
  • (Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 34)

    Braktisja e fëmijës nën moshën 16 vjeç nga prindi ose personi që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
    Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e fëmijës, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 124/a - Kërkimi ose marrja e shpërblimeve për procedurat e birësimit
  • (Shtuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 5)

    Kërkimi, propozimi, dhënia ose pranimi i shpërblimeve dhe përfitimeve të tjera, për të kryer ose për të mos kryer një veprim, që lidhet me procesin e birësimit të një të mituri, dënohen me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300 mijë lekë deri në 3 milionë lekë.

  • Neni 124/b - Keqtrajtimi i të miturit
  • (Shtuar me ligjin nr.9859, datë 21.1.2008, neni 2)

    Keqtrajtimi fizik ose psikologjik i të miturit nga personi që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet.
    Detyrimi i të miturit për të punuar, për të siguruar të ardhura, për të lypur apo për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij dënohet me burgim deri në katër vjet dhe me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në një milion lekë.
    Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e të miturit, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.

  • Neni 125 - Mosdhënia e mjeteve për jetesë
  • Mosdhënia e mjeteve të nevojshme për jetesën e fëmijëve, të prindërve ose të bashkëshortit, nga personi që në zbatim të një vendimi gjyqësor detyrohet ta japë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

  • Neni 126 - Mosnjoftimi i ndryshimit të vendbanimit
  • Mosnjoftimi brenda një muaji i ndryshimit të vendbanimit, të interesuarve ose organit të ekzekutimit, nga personi që sipas vendimit gjyqësor detyrohet me dhënien e mjeteve të nevojshme për jetesë fëmijëve, prindërve ose bashkëshortit të vet, si dhe ai të cilit i janë besuar fëmijët pas zgjidhjes së martesës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

  • Neni 127 - Marrja e padrejtë e fëmijës
  • Marrja e padrejtë e fëmijës, duke e larguar prej personit që ushtron autoritetin prindëror ose që i është besuar për rritje dhe edukim, si dhe mosdorëzimi i fëmijës prindit tjetër në zbatim të vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

  • Neni 128 - Ndërrimi i fëmijëve
  • Ndërrimi i fëmijëve i bërë me pakujdesi nga personeli ku fëmijët mbahen për rritje, mjekim ose në shtëpi lindjeje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 128/a - Fshehja ose ndërrimi me dashje i fëmijës
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 35)

    Fshehja ose ndërrimi me dashje i fëmijës me një tjetër, i kryer nga personeli mjekësor, dënohet me burgim nga tre gjer në tetë vjet.

  • Neni 128/b - Trafikimi i të miturve
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 3)

    Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e të miturve me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara, skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohen me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në gjashtë milionë lekë.
    Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të të miturve dënohen me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.
    Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike të të dëmtuarit, për të kryer veprime të ndryshme, ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.
    Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga tetë milionë deri në dhjetë milionë lekë.
    Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.

  • Neni 129 - Shtytja e të miturve në krim
  • Shtytja ose tërheqja e të miturve nën moshën katërmbëdhjetë vjeç për të kryer krim, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 130 - Shtrëngimi ose pengimi për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur martesë
  • Shtrëngimi ose pengimi për të filluar ose vazhduar bashkëjetesën ose shtrëngimi për të zgjidhur martesën, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.