Neni 110/a - Trafikimi i personave

(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 1)

Rekrutimi, transportimi, transferimi, fshehja ose pritja e personave nëpërmjet kërcënimit ose përdorimit të forcës apo formave të tjera të shtrëngimit, rrëmbimit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës ose përfitimit nga gjendja shoqërore, fizike apo psikike ose dhënies apo marrjes së pagesave ose përfitimeve për të marrë pëlqimin e personit që kontrollon një person tjetër, me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit të të tjerëve ose formave të tjera të shfrytëzimit seksual, të punës ose shërbimeve të detyruara, të skllavërimit ose formave të ngjashme me skllavërimin, të vënies në përdorim ose transplantimit të organeve, si dhe formave të tjera të shfrytëzimit, dënohen me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga dy milionë deri në pesë milionë lekë.
Organizimi, drejtimi dhe financimi i trafikimit të personave dënohen me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në gjashtë milionë lekë.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo shoqërohet me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike a psikike ndaj të dëmtuarit, për të kryer veprime të ndryshme, ose sjell pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë.
Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm, si dhe me gjobë nga shtatë milionë deri në dhjetë milionë lekë.
Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë.