SEKSIONI I - Vjedhja e pasurisë

  • Neni 134 - Vjedhja
  • (Ndryshuar me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 12)

    Vjedhja e pasurisë dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
    E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.
    __________________________________________________
    Vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.5, datë 11.11.2003
    Nisur nga formulimi i bërë në nenin 134/2 të Kodit Penal, duhet pranuar se ekzistenca qoftë dhe vetëm e rrethanës “pasojë e rëndë”, në rastin e vjedhjes së pasurisë, është e mjaftueshme që vepra penale e kryer nga personi të cilësohet sipas këtij paragrafi. Vetëm fakti që vjedhja e pasurisë të ketë sjellë pasoja të rënda, bën që ajo të konsiderohet e cilësuar.
    Interpretimi i termit “pasoja të rënda” duhet parë në raport me vetë figurën e veprës penale, me raportet shoqërore që ajo mbron dhe duhet analizuar në çdo rast me disa rrethana që lidhen me dëmin e shkaktuar nga vjedhja.
    Duke u nisur nga fakti që figura e veprës penale të vjedhjes ka pasojë pakësimin e pasurisë së tjetrit në mënyrë të kundërligjshme, Kolegjet e Bashkuara evidentojnë faktin se një ndër kriteret bazë për të përcaktuar pasojën e rëndë është vlera e pasurisë së vjedhur, e cila do të merret në çdo rast e lidhur me rrethanat e tjera që kanë ndikuar te subjekti i dëmtuar.
    Ligjvënësi nuk e kushtëzon vjedhjen me vlerën dhe në paragrafin e dytë të nenit 134 nuk përmendet fjala vlerë, prandaj për të përcaktuar “pasojën e rëndë” duhet pasur parasysh se ajo do të jetë e ndryshme mes subjekteve që dëmtohen nga vepra penale e vjedhjes, që ndahen në: individë, persona juridikë dhe shteti.
    Në raport me zhvillimin aktual ekonomik e gjendjen ekonomike të individit e të shoqërisë, Kolegjet e Bashkuara përcaktojnë si kritere orientuese për vlerën si pasojë të rëndë në rastet e vjedhjes së parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal:
    1. Shuma ose sende me vlerë mbi 1 000 000 lekë, kur ato u vidhen individëve.
    2. Shuma ose sende me vlerë mbi 2 000 000 lekë, kur vjedhja është realizuar në dëm të personave juridikë dhe pasurisë shtetërore. Këto vlera do të jenë relative, duke pasur parasysh edhe pasojat e tjera që mund të shkaktohen nga kryerja e kësaj vepre penale, dhe gjykatat, rast pas rasti, duhet ta marrin atë lidhur me vendin e kryerjes së veprës penale, kohën e kryerjes së saj, me subjektin e dëmtuar dhe me pasoja të tjera joekonomike që mund të vijnë, të cilat, kur rëndojnë rrethanat e faktit, pavarësisht se vlerat mund të jenë më të vogla nga përcaktimet e mësipërme, mund ta çojnë gjykatën në përfundimin se vjedhja ka sjellë pasoja të rënda e ta kualifikojnë atë në bazë të nenit 134/2 të Kodit Penal.
    Në këtë përfundim arrihet duke u nisur nga vetë formulimi i paragrafit të dytë të nenit 134 të Kodit Penal, ku thuhet: “po kjo vepër kur ka sjellë pasoja të rënda” dhe nga terminologjia që ka përdorur ligjvënësi për këtë qëllim në lidhje me pasojën si element të anës objektive të kësaj figure krimi dhe që duhen kuptuar jo pasoja të çfarëdoshme që vijnë në çdo rast vjedhjeje të pasurisë, por pasoja të një natyre të veçantë, që duhen trajtuar të rënda, duke mbajtur parasysh edhe shkallën e efektit negativ që pëson i dëmtuari nga vepra penale.
    Kështu mund të sillen si shembuj vjedhja e një pjese ose detaji të linjës teknologjike të një fabrike ose të një aparature elektromjekësore etj., të cilat, pavarësisht nga vlera e tyre e shprehur në të holla, shkakton sipas rastit ndërprerjen e procesit teknologjik, lë pa punë një numër të konsiderueshëm punonjësish, lë pacientët pa mjekimin e domosdoshëm jetik, lë pa energji elektrike apo ujë një zonë qyteti ose fshati etj.
    __________________________________________________

  • Neni 135 - Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën
  • Vjedhja e pasurisë e kryer nga personi, që ka për detyrë ta ruajë dhe ta administrojë atë, apo duke shpërdoruar detyrën, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 136 - Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit
  • (Shtuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 37)

    Vjedhja e bankave dhe e arkave të kursimit dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se në herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

  • Neni 137 - Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike
  • (Shtuar paragrafi I me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 38;
    ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 14)

    Lidhja e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike, përbën kundërvajte penale dhe dënohet me burgim gjer në dy vjet.
    Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike dënohet me burgim gjer në tre vjet.

  • Neni 138 - Vjedhja e veprave të artit e kulturës
  • Vjedhja e veprave të artit e kulturës dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
    Vjedhja e veprave të artit e kulturës me rëndësi kombëtare dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 138/a - Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 39)

    Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi në kundërshtim me ligjin i veprave të artit dhe të kulturës, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 139 - Vjedhja me dhunë
  • Vjedhja e pasurisë e shoqëruar me përdorim dhune dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 140 - Vjedhja me armë
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 40;
    ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 11)

    Vjedhja e pasurisë, e shoqëruar me mbajtjen e armëve dhe municioneve luftarake ose me përdorimin e tyre, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.

  • Neni 141 - Vjedhja me pasojë vdekjen
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 79)

    Vjedhja e pasurisë, kur është shoqëruar me dhunime që kanë sjellë vdekjen e personit, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet ose me burgim të përjetshëm.

  • Neni 141/a - Trafikimi i mjeteve motorike
  • (Shtuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 41)

    Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi në kundërshtim me ligjin, i mjeteve motorike të vjedhura, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.
    Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 142 - Sigurimi i mjeteve për vjedhje
  • Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të vjedhur pasurinë dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.