Neni 134 - Vjedhja

(Ndryshuar me ligjin nr.9275, date 16.9.2004, neni 12)

Vjedhja e pasurisë dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.
__________________________________________________
Vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.5, datë 11.11.2003
Nisur nga formulimi i bërë në nenin 134/2 të Kodit Penal, duhet pranuar se ekzistenca qoftë dhe vetëm e rrethanës “pasojë e rëndë”, në rastin e vjedhjes së pasurisë, është e mjaftueshme që vepra penale e kryer nga personi të cilësohet sipas këtij paragrafi. Vetëm fakti që vjedhja e pasurisë të ketë sjellë pasoja të rënda, bën që ajo të konsiderohet e cilësuar.
Interpretimi i termit “pasoja të rënda” duhet parë në raport me vetë figurën e veprës penale, me raportet shoqërore që ajo mbron dhe duhet analizuar në çdo rast me disa rrethana që lidhen me dëmin e shkaktuar nga vjedhja.
Duke u nisur nga fakti që figura e veprës penale të vjedhjes ka pasojë pakësimin e pasurisë së tjetrit në mënyrë të kundërligjshme, Kolegjet e Bashkuara evidentojnë faktin se një ndër kriteret bazë për të përcaktuar pasojën e rëndë është vlera e pasurisë së vjedhur, e cila do të merret në çdo rast e lidhur me rrethanat e tjera që kanë ndikuar te subjekti i dëmtuar.
Ligjvënësi nuk e kushtëzon vjedhjen me vlerën dhe në paragrafin e dytë të nenit 134 nuk përmendet fjala vlerë, prandaj për të përcaktuar “pasojën e rëndë” duhet pasur parasysh se ajo do të jetë e ndryshme mes subjekteve që dëmtohen nga vepra penale e vjedhjes, që ndahen në: individë, persona juridikë dhe shteti.
Në raport me zhvillimin aktual ekonomik e gjendjen ekonomike të individit e të shoqërisë, Kolegjet e Bashkuara përcaktojnë si kritere orientuese për vlerën si pasojë të rëndë në rastet e vjedhjes së parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal:
1. Shuma ose sende me vlerë mbi 1 000 000 lekë, kur ato u vidhen individëve.
2. Shuma ose sende me vlerë mbi 2 000 000 lekë, kur vjedhja është realizuar në dëm të personave juridikë dhe pasurisë shtetërore. Këto vlera do të jenë relative, duke pasur parasysh edhe pasojat e tjera që mund të shkaktohen nga kryerja e kësaj vepre penale, dhe gjykatat, rast pas rasti, duhet ta marrin atë lidhur me vendin e kryerjes së veprës penale, kohën e kryerjes së saj, me subjektin e dëmtuar dhe me pasoja të tjera joekonomike që mund të vijnë, të cilat, kur rëndojnë rrethanat e faktit, pavarësisht se vlerat mund të jenë më të vogla nga përcaktimet e mësipërme, mund ta çojnë gjykatën në përfundimin se vjedhja ka sjellë pasoja të rënda e ta kualifikojnë atë në bazë të nenit 134/2 të Kodit Penal.
Në këtë përfundim arrihet duke u nisur nga vetë formulimi i paragrafit të dytë të nenit 134 të Kodit Penal, ku thuhet: “po kjo vepër kur ka sjellë pasoja të rënda” dhe nga terminologjia që ka përdorur ligjvënësi për këtë qëllim në lidhje me pasojën si element të anës objektive të kësaj figure krimi dhe që duhen kuptuar jo pasoja të çfarëdoshme që vijnë në çdo rast vjedhjeje të pasurisë, por pasoja të një natyre të veçantë, që duhen trajtuar të rënda, duke mbajtur parasysh edhe shkallën e efektit negativ që pëson i dëmtuari nga vepra penale.
Kështu mund të sillen si shembuj vjedhja e një pjese ose detaji të linjës teknologjike të një fabrike ose të një aparature elektromjekësore etj., të cilat, pavarësisht nga vlera e tyre e shprehur në të holla, shkakton sipas rastit ndërprerjen e procesit teknologjik, lë pa punë një numër të konsiderueshëm punonjësish, lë pacientët pa mjekimin e domosdoshëm jetik, lë pa energji elektrike apo ujë një zonë qyteti ose fshati etj.
__________________________________________________