strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI IV - Vepra penale të kryera në shoqëritë tregtare

  • Neni 163 - Përpilimi i deklaratave të rreme
  • Përpilimi i deklaratave të rreme, në rastin e zmadhimit të kapitalit të shoqërisë, lidhur me ndarjen e pjesëve të kapitalit themeltar të ortakëve, me shlyerjen e tij apo me depozitimin e fondeve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

  • Neni 164 - Shpërdorimi i kompetencave
  • Shpërdorimi i kompetencave nga anëtarët e këshillit mbikqyrës apo administratorët e shoqërisë me qëllim përfitimi apo për të favorizuar një shoqëri tjetër ku kanë interesa, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 164/a - Korrupsioni aktiv në sektorin privat
  • (Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 13)

    Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që ushtron funksion drejtues në shoqëri tregtare ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose mos kryer një veprim në kundërshtim me detyrën ose funksionin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në një milion lekë.

  • Neni 164/b - Korrupsioni pasiv në sektorin privat
  • (Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 13)

    Kërkimi a marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt a i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë,
    ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksion drejtues ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose mos kryer një veprim në kundërshtim me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në tre milionë lekë.

  • Neni 165 - Falsifikimi i nënshkrimeve
  • Falsifikimi i nënshkrimeve dhe derdhjeve apo deklarimi i rremë i derdhjeve të fondeve të shoqërisë, apo publikimi i nënshkrimeve dhe derdhjeve për persona fiktivë, apo vlerësimi i kontributit në natyrë me vlerë më të madhe se sa vlera faktike, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 166 - Emetimi i parregullt i aksioneve
  • Emetimi i parregullt i aksioneve bërë përpara regjistrimit të shoqërisë apo kur regjistrimi është bërë në mënyrë të kundërligjshme, apo kur formalitetet e shoqërisë ende nuk janë plotësuar, apo kur ndryshimi i statutit me rastin e zmadhimit të kapitalit ende nuk është bërë ose nuk është regjistruar apo është bërë në mënyrë të kundërligjshme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

  • Neni 167 - Mbajtja e padrejtë e dy cilësive
  • Mbajtja njëkohësisht e cilësive të ortakut dhe ekspertit kontabël përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

  • Neni 168 - Dhënia e informacioneve të rreme
  • Dhënia e informacioneve të rreme për gjendjen e shoqërisë prej ekspertit kontabël pranë një shoqërie tregtare, apo moskallëzimi në organet kompetente për kryerjen e një krimi, kur nuk ekzistojnë rastete përjashtimeve nga përgjegjësia penale të përcaktuar në nenin 300 të këtij Kodi, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.

  • Neni 169 - Zbulimi i sekreteve të shoqërisë
  • Zbulimi i sekreteve të shoqërisë prej ekspertit kontabël të saj, me përjashtim të rasteve kur e detyron ligji, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 170 - Mosbërja e shënimeve të detyrueshme
  • Mosbërja e shënimeve të detyrueshme nga administratori apo likuiduesi i shoqërisë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

  • Neni 170/a - Punësimi i paligjshëm
  • (Shtuar me ligjin nr.8279, datë 15.1.1998, neni 2)
    (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 47)

    Punësimi pa regjistrim në organet kompetente ose pa garantuar sigurimin e të punësuarit sipas rregullave, kur është dhënë më parë
    masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 10 mijë lekë për çdo rast ose me burgim deri në 1 vit.
    Moskryerja me dashje ose mbulimi i shkeljeve lidhur me punësimin dhe sigurimin social nga persona të ngarkuar me zbatimin dhe kontrollin e dispozitave përkatëse, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 100 mijë lekë ose me burgim deri në 2 vjet.

  • Neni 170/b - Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës
  • (Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 14;
    ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 12)

    Kryerja, gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare, e veprimeve të konkurrencës me anë të kërcënimit ose dhunës dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
    Kur veprimet e konkurrencës drejtohen ndaj veprimtarive të financuara plotësisht ose pjesërisht dhe në çfarëdo mënyre nga shteti ose entet publike, dënimi me burgim shtohet me një të tretën.