Neni 179/a - Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë

(Shtuar me ligjin nr.9086, datë 19.6.2003, neni 6)

Mosdeklarimi, në hyrje ose dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, i shumave në të holla, i çdo lloj forme të çekut bankar, metaleve ose gurëve të çmuar, si dhe i sendeve të tjera me vlerë, përtej vlerës së parashikuar nga ligji, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
__________________________________________________
Vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.1, datë 26.3.2002
Në seksionin e V-të ligjvënësi ka përfshirë krimet në fushën e doganave, duke i ndarë në nëntë figura të veçanta krimi (nenet 171-179 të Kodit Penal), të cilat, me përjashtim të figurave të krimit parashikuar nga nenet 178 (tregtimi i mallrave që janë kontrabandë) dhe 179 (ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë), janë forma specifike të figurës së përgjithshme të kontrabandës, variante të veçanta të saj. Në këtë përfundim arrihet pasi objektin e përgjithshëm të gjithë këtyre figurave të veçanta krimi, që përfshihen në këtë seksion, e përbëjnë të njëjtat marrëdhënie shoqërore. E përbëjnë marrëdhëniet shoqërore që janë vendosur për funksionimin normal të doganave në Republikën e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e interesave ekonomike të saj nga çfarëdolloj veprimtarie që ka për qëllim shmangien nga pagimi në Buxhetin e Shtetit të detyrimeve doganore, të cilat, në analizë të fundit, llogariten në të holla.
Ndarja e figurës së përgjithshme të krimit të kontrabandës në shtatë figura të veçanta kontrabande është bërë nga ligjvënësi duke u nisur, së pari, nga natyra e mallrave me të cilat bëhet kontrabanda, regjimi juridik i tyre; së dyti, nga shkalla e rrezikshmërisë shoqërore të secilit prej këtyre llojeve të kontrabandës dhe, së fundi, nga subjekti, duke krijuar, kështu, kushte ligjore të përshtatshme për të bërë të mundur zhvillimin e një lufte sa më efektive kundër kriminalitetit në një sferë aq të rëndësishme të ekonomisë, siç është ajo e veprimtarisë së organeve të doganës.
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, duke u nisur nga parimet e përgjithshme të doktrinës të së drejtës penale sipas të cilave kur ndodhemi para figurave specifike të veprës penale (delictum proprium), në të cilat bashkekzekutimi është i mundur vetëm midis personave që janë mbajtës të disa cilësive të veçanta për të qenë subjekte të disa veprave penale, (subjekte të posaçme), vepra penale e kryer prej tyre do të cilësohet sipas dispozitës së Pjesës së Posaçme të Kodit Penal, subjekt i të cilës mund të jenë vetëm personat që janë mbajtës të këtyre cilësive të veçanta. E tillë është edhe figura e krimit të kontrabandës nga punonjës të doganave parashikuar nga neni 175 i Kodit Penal.
Figura e krimit të kontrabandës me mallra në regjim të ndërmjetëm, parashikuar nga neni 177 i Kodit Penal dhe ajo e kontrabandës nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore, parashikuar nga neni 177 i këtij Kodi, nuk konkurrojnë as me njëra-tjetrën, as edhe me figurat e tjera të krimit të kontrabandës që përfshihen në seksionin e V të nenit të III të Kodit Penal, në të cilin janë përfshirë krimet në fushën e doganave (nenet 171-179 të Kodit Penal).
Në këtë përfundim arrihet duke u nisur, së pari, nga fakti që, ashtu sikurse u përmend, objekti i të gjitha këtyre figurave krimi është i njëjtë (marrëdhëniet shoqërore që janë vendosur për funksionimin normal të doganave në Republikën e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e interesave te shtetit) dhe, së dyti, nga fakti që vet ligjvënësi, për arsye praktike, duke dashur të lehtësojë zbatimin sa më të drejtë të tyre në funksion të zhvillimit të një lufte sa më efektive në këtë fushë të kriminalitetit, e ka ndarë kontrabandën në disa figura krimi, të cilat, teorikisht dhe praktikisht, mund të përbënin paragrafe të veçantë të së njëjtës dispozitë të Pjesës së Posaçme të Kodi Penal.
Figura e krimit nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore, parashikuar nga neni 175 i Kodit Penal, nuk konkurron as me figurën e krimit të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i tij.
Në këtë përfundim arrihet duke u nisur nga fakti se, anën objektive të figurës së krimit të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, të cilin ligjëvënësi, veç të tjerave, e ka shprehur edhe me fjalët: “Kryerja…. e veprimeve në kundërshtim me ligjin që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës”, që janë shumë të përgjithshme, në figurën e krimit të parashikuar nga neni 175 i Kodit Penal, këtë element përbërës të kësaj figure krimi, e ka konkretizuar, duke e shprehur me fjalët: “Kryerja e kontrabandës…” veprimtari kjo, e cila është e qartë që është në kundërshtim me ligjin dhe me përmbushjen e rregullt të detyrës të një kategorie të caktuar personash dhe konkretisht të punonjësve që lidhen me veprimtarinë doganore.
Këta të fundit përbëjnë edhe subjektin e posaçëm të figurës së krimit, të parashikuar nga neni 175 i Kodit Penal, në të cilin mund të përfshihet një rreth i kufizuar personash, siç janë punonjësit e doganave ose punonjës të tjerë që kanë lidhje me veprimtarinë doganore dhe jo çdo punonjës i ngarkuar me funksion shtetëror ose me shërbim publik nga të cilat që përbëhet subjekti i figurës së , parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga sa u tha më lart, arrihet në përfundimin se figura e krimit të kontrabandës nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore, parashikuar nga neni 175 i Kodit Penal, është një variant i figurës së përgjithshme të krimit të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i tij, e cila realizohet në një fushë specifike të veprimtarisë shtetërore, sikurse është ajo e doganave dhe prandaj këto dy figura krimi nuk mund të konkurrojnë me njëra-tjetrën.
____________________________________________________