strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - Vepra penale kundër mjedisit

  • Neni 201 - Ndotja e ajrit
  • Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
    Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 202 - Transportimi i mbeturinave toksike
  • Transportimi tranzit apo depozitimi në territorin shqiptar të mbeturinave toksike dhe radioaktive, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.
    Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

  • Neni 203 - Ndotja e ujërave
  • Ndotja e ujërave të deteve, lumenjve, liqeneve apo burimeve të rrjetit grumbullues e shpërndarës të ujrave me lëndë toksike, radioaktive apo substanca të tjera, që prishin ekuilibrin ekologjik, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet.
    Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

  • Neni 204 - Peshkimi i ndaluar
  • Peshkimi në kohë, me mjete, vende dhe mënyra të ndaluara përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.
    Peshkimi i kryer me mjete të rrezikut të përbashkët si eksploziv, lëndë helmuese etj,. përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

  • Neni 205 - Prerja e paligjshme e pyjeve
  • Prerja apo dëmtimi i pyjeve pa leje apo në kohë dhe vende të ndaluara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

  • Neni 206 - Prerja e drurëve dekorativë dhe frutorë
  • Prerja e drurëve dekorativë dhe dëmtimi i lulishteve dhe parqeve nëpër qytete përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë.
    Prerja e drurëve në pemëtore, ullishta e vreshta, pasi është refuzuar më parë leja e prerjes nga organet kompetente, përbën kundërvajtje penale e dënohet me burgim gjer në tre muaj.

  • Neni 206/a - Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor
  • (Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 22)

    Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje, me pasoja të rënda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga tre deri në pesë vjet dhe me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë.
    Po kjo vepër, e kryer me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 000 (pesëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë.
    Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 1 000 000 (një milion) lekë deri në 2 000 000 (dy milionë) lekë.

  • Neni 206/b - Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor
  • (Shtuar me ligjin nr.10 023, datë 27.11.2008, neni 22)

    Shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia, me pasoja të rënda materiale, i fondit pyjor, i fidanishtes pyjore, i grumbullit pyjor ose i çdo njësie të ngjashme me to, me zjarr, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
    Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo shkakton dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit apo zonave të mbrojtura, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

  • Neni 207 - Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve
  • Shkelja e rregullave për karantinën e bimëve apo të kafshëve, kur ka sjellë pasoja të rënda materiale ose që rrezikojnë jetën e shëndetin e njerëzve, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.